Sport

Woods barazon rekordin për tituj në “PGA Tour”

Golfisti ikonik Tiger Woods, ka barazuar rekordin e PGA Tour prej 82 turneve të fituar, me triumfin në Zozo Championship.

Woods 43-vjeçar që është në pozitën e dhjetë në renditjen botërore, triumfoi të hënën në Japoni dhe barazoi rekordin e amerikanit Sam Snead, të cilin e kishte vendosur në vitin 1965.

Ishte turneu i tij i parë që kur operoi gjurin për herë të pestë, nëntë javë më parë. Në prill, Woods fitoi turneun e tij të parë të madh në 11 vjet, me triumfin në Masters, duke iu afruar në tre rekordit prej 18 turneve të mëdhenj të fituar nga Jack Nicklaus.

Snead ishte 52-vjeçar kur fitoi turneun e tij të fundit në PGA Tour, ndërkohë Nicklaus ishte 46-vjeçar kur fitoi trofeun e tij të fundit të madh.

Pas barazimit të rekordit për turne të fituar, Woods ka thënë se do të vazhdojë të ndjekë rekorde tjera.

“Sa i përket nëse do të luaj deri në moshën 52-vjeçare, unë shpresoj që kjo do të ndodh. Po të më pyesnit disa vite më parë, unë do t’u jepja një përgjigje tjetër, por sigurisht se e ardhmja duket më e ndritshme tash se që ishte dukur. Trupi nuk mund të bëjë atë që bënte dikur, por unë ende mendoj sipas mënyrës sime në fushën e golfit. E di se si të luaj dhe isha në gjendje të bëja një gjë të tillë këtë javë. Kishte kohë kur nuk e dija nëse do të jem në gjendje të luaj sërish dhe kështu jam shumë vlerësues për këtë arritje”.

Pas triumfit të tij të fundit në turne të madh në Augusta, Woods, që ka pasur edhe katër operime në shpinë, dështoi të arrinte në turneun final në PGA Championship dhe në Open Championship.

Ai nuk është kualifikuar as për finale të Tour Championship, të cilin e ka fituar një vit më herët për të arritur në 80 fitore në PGA Tour dhe për t’i dhënë fund një serie prej pesë viteve pa fituar titull. Ai më pas zgjodhi të bëjë një ndërhyrje kirurgjike në gjurin e majtë.

Fituesi i 15 turneve të mëdhenj ka thënë se operimi i gjurit ka ofruar sfidën më të madhe të rikthimit në karrierën e tij, por ai fitoi me tri gjuajtje epërsi nga japonezi Hideki Matsuyama për të fituar një titull në PGA Tour në shtatë shtete të ndryshme.

Woods shpreson të kthehet në Japoni dhe të garojë në Lojërat Olimpike të vitit 2020 në Tokio.

“E di se disa shokë të mi kanë arritur në skuadrën olimpike më herët në të kaluarën dhe kanë thënë se ishte përvojë jetësore. Unë do të jem 44-vjeçar dhe nuk e di nëse do të kem edhe shumë raste tjera pas kësaj”, ka deklaruar Woods.

Turneu i parë zyrtar i PGA Tour në Japoni ka mbaruar të hënën në mëngjes në shtegun e golfit në Chiba.