Sport

Kina organizon botërorin e parë të zgjeruar të klubeve

Kina do të jetë mikpritëse e edicionit inaugurues të botërorit të klubeve, që në vitin 2021 do t'i ketë 24 skuadra, ka njoftuar të enjten presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, duke e vlerësuar këtë si një "vendim historik".

Zgjedhja e FIFA-s, nënvizon ndikimin e futbollit në Kinë që është në rritje e sipër dhe paralajmëron se pas kësaj ngjarjeje, këtij vendi shumë shpejt pritet t'i besohet edhe organizimi i Kampionatit Botëror në një të ardhme të afërt. Infantino bëri publik lajmin të enjten, pas takimit të Këshillit të FIFA-s në Shanghai, shkruan sot Koha Ditore.

Kjo do të thotë se në botërorin e klubeve që do të mbahet gjatë periudhës qershor-korrik të vitit 2021 në Kinë, do të jenë skuadrat më të mëdha të futbollit në botë, ku tetë prej tyre do të vijnë nga Evropa. Infantino ka konfirmuar se Kina që tashmë e ka bërë futbollin prioritet shtetëror, ishte kandidatja e vetme për organizimin e kësaj ngjarjeje.

"Ky është një vendim historik për futbollin. Botërori i klubeve në vitin 2021 do të jetë një garë, të cilën do ta presin me padurim të gjithë adhuruesit e këtij sporti. Kina besoj se do ta dëshmojë veten si një organizatore e jashtëzakonshme", është shprehur Infantino.

(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")