Hamiltoni nuk pret ta festojë titullin në fundjavë Foto: Reuters

Hamiltoni nuk pret ta festojë titullin në fundjavë

22 October 2019 20:03

“Mercedesi” po pret periudhë të vështirë në garën e Shpërblimit të Madh të Meksikës këtë fundjavë, ndërsa britaniku Lewis Hamilton po kërkon të sigurojë titullin e kampionit në Formula 1.

Hamiltoni do të sigurojë titullin e gjashtë të Formula 1 nëse fiton 14 pikë më tepër sesa kolegu i tij te “Mercedesi”, Valtteri Bottas.

Mirëpo kjo detyrë bëhet edhe më e vështirë nga fakti se “Mercedesi” nuk pret që shtegu në Mexico City t'i shkojë për shtat.

“Në katër garat e mbetura nuk do të jetë e lehtë dhe ne presim që gara në Meksikë të jetë më e vështira”, ka deklaruar kreu i “Mercedesit”, Toto Wolff, shkruan BBC, transmeton “Koha Ditore”. “Por ne do të japim çdo gjë për të limituar dëmet”.

“Mercedesi” ka siguruar titullin e gjashtë rresht në konkurrencë të konstruktorëve në garën e fundit në Japoni dhe pasi që Hamiltoni tash mund të zihet vetëm nga Bottasi, skuderia gjermane ka vendosur rekord edhe për titullin e dyfishtë të gjashtë rresht.

Hamiltoni dy titujt e tij të fundit të kampionit i ka siguruar në garën e Meksikës, por ai nuk pret që të ndodhë edhe këtë vit.

Ai pret që në fundjavë të dominojë “Ferrari”, avantazhi i të cilit në shpejtësi në vijë të drejtë dhe përmirësimet e bëra në bolid ia kanë siguruar triumfin në kualifikime të pesë garave të fundit. Tri nga ato gara i fitoi “Ferrari” dhe i humbi dy të tjera për shkak të gabimeve apo fatit të keq.

Hamiltoni pas garës në Japoni tha: “Meksika në përgjithësi është gara jonë më e keqe e vitit për shkak të mënyrës se si është i ndërtuar bolidi ynë dhe faktit se nuk i përshtatet gara në lartësi mbidetare. Do të jetë vështirë për ne. Disa gara të fundit kanë qenë mjaft shokuese, ndonëse kemi fituar titullin atje. Unë po shpresoj për një fundjavë më të mirë, por mendoj se do të jetë e vështirë të mposhtet “Ferrari” atje. Edhe “McLareni” po fiton shpejtësi në vijë të drejtë e po ashtu edhe “Red Bulli”. Do të jetë garë e vështirë. Nuk besoj se do të siguroj titullin në Meksikë. Mendoj se do të vazhdojë lufta edhe në disa gara”.

Hamiltoni kryeson renditjen me 338 pikë, 64 më tepër se Bottas. Pas garës në Meksikë mbesin edhe tri gara të tjera deri në fund të stinorit.

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme