Sport

Barça pajtohet të paguajë edhe 15 milionë euro për Griezmannin

Foto: Reuters

Atletico Madridi ka pranuar një pagesë prej 15 milionë eurosh nga Barcelona për transferimin e Antoine Griezmannit, në mënyrë që të heqë dorë nga beteja e mëtutjeshme ligjore, kanë njoftuar mediumet spanjolle të martën.

Kjo pagesë vjen pas insistimit të Atleticos që të marrë edhe 80 milionë euro nga transferimi i Griezmannit te Barcelona dhe madje në marrëveshjen e arritur së fundi, është edhe kushti që Barcelona të refuzojë mundësinë e transferimit të disa lojtarëve të Atleticos.

Saul Niguez e Jose Maria Gimenez mësohet se janë në mesin e pesë lojtarëve të përfshirë në marrëveshje, pjesa tjetër janë lojtarë të grupmoshave të reja.

Gazeta “El Mundo” njofton se marrëveshja është bërë në mënyrë që presidenti i Atletico Madridit, Enrique Cerezo, të ndalojë publikimin e emailave që dëshmojnë se Barcelona ka arritur marrëveshje me Griezmannin qysh në mars, shkruan “The Sun”.

Cerezo thuhet se ka dëshmi disa emaila të shkëmbyer mes sulmuesit, motrës së tij dhe agjentes Maud, si dhe avokatëve e këshilltarëve të tjerë, duke zbardhur lëvizjen te Barcelona dhe se si 15 milionë euro komision do të ndaheshin.

Barcelona e Griezmanni gjithmonë kanë mohuar se ka pasur marrëveshje rreth kohës kur Atetico luajti në 1/8 e finales të Ligës së Kampionëve stinorin e kaluar me Juventusin, transmeton “Koha Ditore”. Në atë periudhë, klauzola për lirim e Griezmannit në kontratën me Atleticon ishte 200 milionë euro, por kjo ra në 120 milionë euro në korrik. Atletico Madridi ka insistuar të marrë shifrën e plotë.

U dorëzua një ankesë zyrtare në Federatën e Futbollit të Spanjës, por Barcelona u gjobit me pak mbi 300 euro për shkelje të vogla në negociata.

Mirëpo, me marrëveshjen e arritur tash, shifra e transferimit të Griezmannit ka arritur në rreth 135 milionë euro, që e fut Griezmannin në Top 4 futbollistët më të shtrenjtë në histori.

Që nga ardhja e tij, Griezmann ka shënuar katër gola në dhjetë ndeshje, përfshirë një gol dhe një asistim në fitoren e së shtunës ndaj Eibarit që ka ngritur Barçën në krye të La Ligas.

Burime nga Atletico kanë mohuar se shifra e 15 milionë eurove ishte në lidhje me ankesën ndaj lëvizjes së Griezmannit.