Sport

Florian Kamberi mund të largohet nga Hiberniani, për të luajtur në Evropian

Florian Kamberi bën të ditur se do të largohet nga Hiberniani për ta ndjekur ëndrrën e Kampionatit Evropian 2020.

Sulmuesi i “Easter Road” ka të drejtë të luajë për Kosovën, Shqipërinë dhe Zvicrën.

Dhe, ashtu siç qëndrojnë punët, Kosova dhe Zvicra kanë mundësi reale për t’u kualifikuar në finalet e vitit të ardhshëm, transmeton KTV.

Por, Kamberi e di se nuk mund t’i vijë shansi që të paraqitet me shtetet e përmendura, derisa trajneri Paul Heckingbottom nuk ia jep minutat e plota në ekip.

“Ëndrra ime është të luajë me përfaqësuese, 100%. E kam mundësinë që të paraqitem me tri shtete, dhe të paraqitem me ta do të ishte privilegj për mua, sidomos në gara si Evropiani apo Botërori. Për të arritur deri aty duhet të kem minutazhë të rregullt në klub, dhe nëse nuk më ofrohet një gjë e tillë, duhet të largohem. Por, a do ta kem shansin të luajë në Evropian? Po, nëse luaj çdo vikend dhe shënoj gola duke luajtur në mënyrë të vazhdueshme, do të ishte një shans për mua”, ka thënë Kamberi.

Kamberi u lind në Zvicër dhe ka luajtur për grupmoshat U21 gjatë kohës sa ishte pjesë e Grasshoppersit.

“Është shumë e vështirë të them se cila është zgjedhja më e mirë, sepse nuk e di se çfarë mendojnë ato për mua. Kam lidhje me të tria shtetet. Jam rritur në Zvicër dhe familja ime është atje. Të dy prindërit janë nga Kosova dhe kam qenë atje shumë herë për pushime. Dhe Shqipëria është shtet simotër i Kosovës, kështu që është njësoj”, nënvizoi Kamberi.

24-vjeçari Florian Kamberi me Zvicrën U21 ka luajtur në katër ndeshje dhe ka shënuar një gol. Ndërkohë me skuadrën e vet, në edicionin e sivjetmë në 11-të ndeshje, ka realizuar pesë herë.