Sport

Tottenhami e Lazio janë bindur me cilësitë e Muriqit

Foto: Driton Paçarada / KD

Skuadrat e njohura evropiane, Tottenham dhe Lazio, janë bindur se sulmuesi i Përfaqësueses së Kosovës, Vedat Muriqi, mund të jetë përforcim i madh gjatë afatit kalimtar të janarit.

Mediumet e huaja kanë raportuar të mërkurën se skautët e Tottenhamit dhe Lazios ishin të pranishëm në Prishtinë për ta përcjellë Muriqin nga afër në ndeshjen ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi që u luajt të hënën, shkruan Koha Ditore.

Muriqi në këtë ndeshje ishte i pazëvendësueshëm te Kosova dhe shënoi njërin prej golave në fitoren 2:0 të Kosovës në kuadër të eliminatoreve për “Euro 2020”.

Skautët e të dy ekipeve kanë mbetur të kënaqur me atë çfarë tregoi Muriqi në fushë dhe tashmë priten ofertat zyrtare për Fenerbahçen.

Sulmuesi 25-vjeçar, para fillimit të këtij edicioni iu bashkua Fenerbahçes nga Rizespori dhe ka kontratë deri në vitin 2023. Ai këtë edicion ka shënuar tre gola në shtatë paraqitje, kurse Fenerbahçe do ta linte të lirë Muriqin nëse merr një ofertë rreth 20 milionë euro. Ai po kërkohet edhe nga Atletico Madridi.