Sport

Arrestohen katër bullgarë për thirrje raciste kundër Anglisë

Autoritetet bullgare arrestuan katër tifozë të futbollit për shkak të gjesteve raciste gjatë një ndeshjeje me Anglinë, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian.

Tifozët bënë përshëndetje naziste dhe zhurmë majmunësh ndaj lojtarëve me ngjyrë të Anglisë, raporton REL.

Ndeshja që u zhvillua në Sofje më 14 tetor, u ndërpre dy herë në përpjekje për të ndaluar sulmet raciste.

Ministria e Brendshme e Bullgarisë njoftoi të mërkurën se ka arrestuar katër njerëz dhe tha se përfshirja e tyre në incident po hetohet.

Ministria po ashtu tha se çdo provë e mbledhur do t'iu dorëzohet prokurorëve.

Presidenti i Federatës së Futbollit të Bullgarisë, Borislav Mihaylov, dha dorëheqje më 15 tetor, ndërsa policia speciale e Bullgarisë i bastisi zyrat e Federatës.

Trajneri i Bullgarisë, Krasimir Balakov, i cili fillimisht tha se nuk ka dëgjuar ndonjë thirrje raciste gjatë lojës, i kërkoi falje ekipit të Anglisë.

Federata Evropiane e Futbollit UEFA nisi procedura disiplinore kundër Bullgarisë për sjelljen raciste.