Sport

Kosova U-17 dështon në kualifikime

Descriptive Text

Ndonëse ia kishte marrë një pikë përfaqësueses së Holandës në ndeshjen e parë, Kosova U-17 në futboll ka dështuar të dalë prej raundit kualifikues për "Euro 2020".

Holanda ka fituar dy evropianët e fundit dhe dominoi plotësisht ndeshjen ndaj Kosovës. Por takimi i 9 tetorit kishte përfunduar 1:1. Kosova më 12 tetor humbi 2:0 nga Sllovenia, ndërsa të martën pësoi humbje edhe në ndeshjen e tretë. Madje pësoi humbje dukshëm më të lartë. Uellsi fitoi 4:1 ndaj “Dardanëve” në ndeshjen e luajtur në Uden të Holandës, ku edhe u zhvillua turneu kualifikues i Grupit të 12-të.

Uellsianët shënuan tre gola para se rezervisti Blerim Ademi të shënonte golin e vetëm për Kosovën në minutën e 81-të. Uellsi shënoi edhe një gol në fund për rezultatin përfundimtar, 4:1. Kosova U-17 prej minutës së 15-të luajti me një lojtar më pak në fushë, pas përjashtimit me karton të kuq të Rejan Thaçit.

Kosova garën e mbylli në vend të fundit në Grupin 12, me vetëm një pikë. Holanda u rendit e para me shtatë pikë, ndërsa Uellsi i dyti me gjashtë pikë. Sllovenia doli e treta me tri pikë.