Sport

Rashica beson se Kosova mund të fitojë tri ndeshjet e mbetura në rrugën për Evropian

Ylli i Kosovës në futboll, Milot Rashica, beson se Kosova mund të fitojë të tri ndeshjet e mbetura në Grupin A kualifikues për të arritur kualifikimin për Evropianin 2020.

Pas fitores së Çekisë ndaj Anglisë, Kosovës i janë zbehur gjasat për kualifikim, por nëse arrin rezultate pozitive në ndeshjet ndaj Malit të Zi, Çekisë e Anglisë, kualifikimi mund të arrihet.

“Besoj që deri tash kemi bë rrugëtim shumë të mirë dhe të gjithë lojtarët kemi marrë përvojë të mirë. Edhe pse Anglia ka humbur, pa marrë parasysh, sado që janë vështirësuar punët, pavarësisht rezultatit atje, ne hyjmë në çdo ndeshje për fitore. Shpresojmë të fitojmë qysh nesër e më pas të koncentrohemi për ndeshjen e radhës. Ne kemi besuar nga fillimi, prej kur kemi parë grupin, pas çdo ndeshje kemi pasur besim për ndeshjen e radhës. Gjithçka është e mundshme, veç duhet me i pa ndeshje pas ndeshje”, ka thënë ai në konferencën për media para ndeshjes me Malin e Zi në Prishtinë.

Rashica ka thënë se është i gatshëm 100 për qind për këtë ndeshje, pas lëndimit që kishte pësuar kohë më parë. Ka thënë se është i gatshëm të luajë në çdo pozitë që i kërkohet nga përzgjedhësi Bernard Challandes.