Sport

“Dardanët” premtojnë përkrahje për Kosovën, e respekt për Malin e Zi

Kosova do të luajë ditën e hënë ndeshjen e rëndësishme për kualifikim në Euro2020 ndaj Malit të Zi.

Takimi është i një rëndësie të veçantë për Kosovën, pasi që me fitore do të mbante gjallë shpresat për kualifikime.

E Dardanët sot kanë ardhur me një njoftim të rëndësishëm për anëtarët e tyre. Mes tjerash ata kanë shkruar se nuk do ta ofendojnë kundërshtarin.

“Të hënën me 14 tetor, në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ Kosova përballet me Malin e zi, ndeshje kjo që mund të jetë vendimtare për rrugëtimin e Kosovës në Euro2020. Me besimin në fitore, ne Dardanët, do t’i përkrahim djelmoshat tanë prej sekondës së parë e deri në fund”, thuhet në kumtesën e “Dardanëve”.

“Me besimin se kështjella e quajtur ‘Fadil Vokrri’ mbetet e pamposhtur, ne do të jemi lojtari i 12-të i Kosovës. Me besimin në djemtë tanë në krye me Challandesin, nuk do të ndalemi së brohorituri. Njëkohësisht, siç e kemi traditë, nuk do ta ofendojmë kundërshtarin. Kemi dhënë besën. Për Kosovën, dashurinë tonë të përjetshme”, thuhet më tej në kumtesë.