Sulmusi i krahut Lirim Kastrati i është bashkuar Kombëtares U-21 të Kosovës për ndeshjen kundër Shqipërisë, në kuadër të kampionatit evropian të vitit 2021.
Grumbullimin me Shpresat e Kosovës e kishte paralajmëruar edhe përzgjedhësi i ekipit “A”, Bernard Challandes por edhe vet futbollisti, raporton KTV.
Kastrati luajti gjatë pjesës së dytë në miqësoren në Prishtinë që Kosova e fitoi ndaj Gjibraltarit me rezultatin, 1:0. Për ekipin e Shpresave të Kosovës do të jetë ndihmë e madhe përballë atyre të Shqipërisë.
Ndeshja Shqipëri – Kosovë do të zhvillohet më 15 tetor në Elbasan nga ora 19:00, në kuadër të Grupit 3. Kosova është në vendin e tretë me gjashtë pikë sa kanë edhe Anglia dhe Austria, kurse Shqipëria zë vendin e pestë me dy pikë.