Shumica e futbollistëve të Kosovës janë shprehur të kënaqur me paraqitjen ndaj Gjibraltarit, në miqësoren e së enjtes.
“Dardanët” fituan 1 me 0 me golin e vetëm të shënuar nga i riu Florent Hasani.
Vetë Hasani ka thënë se qëllimi i ekipit ishte vetëm fitorja. Ai ka deklaruar për KTV-në se është i gatshëm për të luajtur më shumë minuta me ekipin A dhe është i gatshëm të ndihmojë me asistime e gola.
“Jam shumë i lumtur. Hyra në pjesën e dytë dhe ishte qëllimi të ndihmoj Kosovën. Erdhi goli dhe jam i gëzuar që me golin tim erdhi fitorja. Mendoj që mund të ndihmoj ekipin me asistime e gola. Pres minuta më shumë, normalisht sepse mendoj se mund të jap më shumë”, ka thënë ai.
Kapiteni i Kosovës, Samir Ujkani ka thënë se e rëndësishme ishte që nuk pësuan gol.
“Ka qenë shumë e rëndësishme të fitojmë e të mos pësojmë gol. S’kemi mundur të bëjmë punë perfekte, se kemi luajtur kundër një ekipi që ka ardhur këtu për ‘tu mbrojtur. Kemi dhënë maksimumin. Kemi treguar se ky mentalitet fitues dhe ekipor mund të ketë sukses”, ka deklaruar Ujkani.
Mesfushori Anel Rashkaj ka thënë se Kosova e pati të vështirë ndeshjen ndaj Gjibraltarit që mbrohej vazhdimisht.
“Ishte pak vështirë sepse kanë luajtur krejt në mbrojtje. Ishte e vështirë. Erdhëm te shumë krosime, patëm disa raste por me rëndësi mendoj që ishte ndeshje e mirë. S’kam besuar se këso atmosfere do të kishte ndaj Gjibraltarit”, ka thënë ai duke lavdëruar tifozët për përkrahjen në “Fadil Vokrri”.
Anësori Lirim Kastrati ka thënë se është i gatshëm që gjithmonë të ndihmojë Kosovën, pavarësisht a luan te ekipi A apo te ai U21.
“Mirë që fituam. Do të bisedojë trajneri i ekipit A me atë të kombëtares U21 për ndeshjen e ardhshme. Gjithmonë jam i gatshëm të jap maksimumin, pavarësisht ku ftohem”, ka deklaruar ai.
Bernard Berisha ka thënë se tash Kosovën e pret një ndeshje tejet e rëndësishme, ajo me Malin e Zi, të hënën në kualifikimet për “Euro 2020”.
“Ishte vështirë, por u munduam ta ndihmojmë Kosovën me aq sa kemi mundësi. Ka rëndësi që kemi fituar para ndeshjes me Malin e Zi. Na pret ndeshje shumë e madhe. Shpresojmë të bëjmë lojë të mirë”, ka thënë Berisha.
Mbrojtësi Florent Hadërgjonaj ka thënë se ekipi duhet të jetë më efikas në rastet për gol.
“Vlen ajo që fituam. Pas lojës me Anglinë ishte me rëndësi të jemi pozitivë dhe të fitojmë. Gjibraltari nuk luan si ekipet tjera. Ishin me 7-8 lojtarë defensivë. S’lejonin hapësirë, por më në fund realizuam. Duhet të jemi më efikasë në ofensivë”, ka thënë ai.
Sipas sulmuesit Atdhe Nuhiut, pasimi i fundit nuk ishte shumë i mirë në aksionet e Kosovës.
“Ishte jashtëzakonisht vështirë sepse shumica e lojtarëve kanë luajtur për herë të parë. Është miqësore. Ka pas gjëra pozitive. 70 për qind e kemi pas topin. Pasimi i fundit ka mund të ishte më mirë, por këto lojë janë testuese. Ata ishin krejt në mbrojtje dhe s’ishte lehtë, por fitorja na duhej dhe me fitore shkuam te shtëpia”, është shprehur Nuhiu.
Edon Zhegrova ka thënë se kjo fitore ishte e rëndësishme për shkak të përgatitjes për përballjen me Malin e Zi.
“Të gjithë punuam së bashku qysh na kërkoi trajneri. Fituam ndeshjen me rëndësi. Me rëndësi sepse për pak ditë kemi ndeshjen me Malin E zi. Falënderoj tifozët për përkrahjen”, ka thënë Zhegrova.
Qendërmbrojtësi Aliti ka thënë se sot nuk ishte ndeshje e lehtë, por ka shtuar se “krejt ndeshje tjetër do të jetë të hënën”.