Sport

Challandes i kënaqur me lojën, jo me rezultatin

Përzgjedhësi i Kosovës në futboll, Bernard Challandes ka thënë se është i kënaqur me paraqitjen, por jo edhe me rezultatin në miqësoren ndaj Gjibraltarit.

Kosova fitoi 1 me 0 me golin e vetëm të shënuar nga Florent Hasani.

“Mund të them se as nuk jam i kënaqur as i pa kënaqur me këtë ndeshje. E kam parashikuar një ndeshje të tillë, sepse nuk është e lehtë të luash ndaj një kundërshtari të tillë. Ata kanë luajtur shumë mirë në mbrojtje. Janë një skuadër që kanë shumë kurajë, dhe me këto ekipe ke dy mundësi, ose të shënosh shpejtë, herët, dhe pastaj ta kesh më lehtë, gjë që patëm mundësi në 30 minutat e parë, patëm disa raste për të shënuar por fatkeqësisht na mungonte ajo cilësia në goditjen e fundit dhe është diçka që kam pritur dhe kemi qenë një skuadër ku kemi bërë disa testime”, tha fillimisht Challandes.

Zvicerani gjithashtu theksoi se ky ishte një test i mirë për të gjithë ata lojtarët që kishin nevojë për minuta dhe se ishte shumë i kënaqur me lojën.

“Mendoj që kemi bërë një përgatitje shumë të mirë, sidomos për të gjithë ata lojtarët që kanë pasur nevojë që të luajnë, siç ka qenë Kololli në pjesën e parë, më pas edhe Hadërxhonaj. Gjithashtu kam pasur mundësi të shoh edhe mbrojtësit qendror, për t’iu dhënë mundësinë për të parë se çfarë mund të na ofrojnë. Sa i përket të tjerëve, të shohim edhe ata se sa mund të japin për skuadrën dhe në fund të fundit mund të them se me lojë jam i kënaqur, por nuk jam i kënaqur me rezultat”, përfundoi Challandes.

Kosova të hënën zhvillon ndeshjen e rëndësishme për kualifikimin në Evropianin 2020 kundër Malit të Zi.

Kujtojmë që Kosova gjendet në pozitën e tretë të grupit A dhe një fitore e mundshme ndaj Malit të Zi do të rriste shumë gjasat për një kualifikim në kampionatin evropian.