Zvezda sot ia mësyn Zveçanit për ta sfiduar Kosovën Foto: Driton Paçarada / KD

Zvezda sot ia mësyn Zveçanit për ta sfiduar Kosovën

Arsim Maxhera Arsim Maxhera 09 October 2019 09:18

Skuadra serbe e futbollit, Cërvena Zvezda, të martën pasdite ka marrë rrugë për në Kosovë, ku të mërkurën (sot, 14:00) pritet të luajë ndeshje për Kupë të Serbisë.

Te klubi nga Beogradi janë të sigurt që do të luajnë ndeshjen ndaj ekipit të ashtuquajtur Trepça, në stadiumin në Zhitkoc, në afërsi të Zveqanit. Është raportuar nga mediet serbe që delegacioni i Cërvena Zvezdës natën do ta kalojë në Novi-Pazar, e të mërkurën në mëngjes do të hyjë në territorin e Kosovës, shkruan sot Koha Ditore.

"Të gjithë në stadium, ku na pret Zvezda kampione", thuhet në ftesën që klubi serb ua ka bërë tifozëve të tij për ndeshjen me ekipin ilegal, të ashtuquajtur Trepça, që bënë gara në një ligë të ulët të Serbisë dhe që ka selinë në Mitrovicën veriore.

Ndeshja e paralajmëruar mund të zhvillohet pa lejen dhe pajtimin e Federatës së Futbollit të Kosovës. Në FFK të martën mbrëma nuk janë shprehur të sigurt se ndeshja do të luhet apo nuk do të luhet.

Klikoni këtu për ta lexuar numrin e sotëm të Kohës Ditore FALAS

Kanë thënë se kanë bërë çdo gjë që është në dorën e tyre për të penguar zhvillimin e kësaj ndeshjeje ilegale. Sipas FFK-së, në polici është bërë kërkesa që ndeshja të mos lejohet, përkatësisht që të mos lejohet Cërvena Zvezda të futet në territorin e Kosovës.

Nga policia nuk kanë dhënë përgjigje në këtë çështje, me gjithë interesimin e vazhdueshëm të gazetës, të hënën e të martën. Javën e kaluar nga Policia e Kosovës kanë thënë se ky "rast po trajtohet si rast policor", pa dhënë detaje të tjera për këtë.

Ndeshja ndërmjet Trepçës ilegale dhe Cërvena Zvezdës i takon 1\16 të Kupës së Serbisë në futboll. Shorti është tërhequr muajin e kaluar, ndërsa pas kundërshtimit të FFK-së, fillimisht ishte pritur që takimi të luhet në Beograd. Por kishte zhvillime dramatike të mëvonshme, në të cilat u përfshi edhe Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA).

Në fakt FFK-ja kërkoi nga FIFA që të pengojë zhvillimin e kësaj ndeshjeje, duke u thirrur në të drejtën e garantuar si organizatore e vetme e garave të futbollit në territorin e Kosovës. Por FIFA, befasisht, mori qëndrim që shkon në favor të Serbisë dhe në dëm të futbollit kosovar dhe FFK-së.

Duke u thirrur në një vendim të Gjykatës për Arbitrazh Sportiv, përkatësisht në një nen të vendimit të CAS-it kur refuzoi ankesën e Federatës së Serbisë ndaj vendimit të UEFA-s për pranim të Kosovës, FIFA ka inkurajuar FFK-në që të tërheqë kërkesën e bërë në organet e sigurisë së Kosovës, në mënyrë që ndeshja të zhvillohet.

FIFA është thirrur në një pikë të vendimit të CAS-it ku thuhet se "Fakti që klube të caktuara në veri të Kosovës aktualisht luajnë nën juridiksionin e Federatës së Serbisë, nuk minon autoritetin e përgjithshëm organizues të FFK-së në territorin e vet, që është dëshmuar me aplikimin për anëtarësi të FFK-së".

Letra brengosëse e FIFA-s

Kjo letër e FIFA-s për FFK-në duket të ketë ndërruar edhe situatën në terren. Derisa të shtunën pritej që ndeshja "Trepça" - Zvezda të luhet në një prej stadiumeve të vogla të Beogradit, të dielën klubi i madh beogradas njoftoi se ndeshja do të luhej në stadiumin në Zhitkoc, në territorin e Kosovës. Madje nga Cërvena Zvezda falënderuan FIFA-n dhe UEFA-n që kanë mbështetur zhvillimin e ndeshjes në Mitrovicë.

Në të vërtetë garat e Serbisë në territorin e Kosovës nuk janë ndalur asnjëherë, sidomos në veri të vendit. Por ardhja e një klubi që po paraqitet me sukses në Ligën e Kampionëve, vlerësohet se i jep dimension tjetër kësaj çështjeje dhe e bën më pak të mundur shtrirjen e autoritetit të FFK-së dhe shtetit të Kosovës në veri të vendit.

Trajneri i Cërvena Zvezdës, Vladan Milojeviq, ka thënë se është i lumtur që do të luajë një ndeshje në mesin, siç ka thënë ai, bashkëqytetarëve në Kosovë.

"Është kënaqësi e madhe për ne që do të kemi rastin për takim me popullin tonë, që e dimë në çfarë situate është. Ne do të japim çdo gjë nga vetja që të ofrojmë lojë të mirë në atmosferë sportive. Jam i sigurt që do të ketë mjaft shikues. Në anën tjetër, edhe për ata është fat i madh që nga afër të shohin lojtarët e Cërvena Zvezdës. Është ngjarje e madhe sportive, ndërsa vetëm shoqërimi para dhe pas ndeshjes dhe takimi me ta, paraqet kënaqësi të madhe për të gjithë ne. Zemrat do të na mbushen plot", ka thënë Milojeviq.

Salihu: Kemi bërë gjithçka është në duart tona

Zvezda ka shkruar edhe për lidhjen e veçantë që ka me Kosovën. Ka treguar se kjo është hera e katërt që vjen në Kosovë. Zvezda tri herë rresht, duke filluar nga viti 2015, kishte luajtur ndeshje miqësore me Graqanicën. Atë traditë e kishte ndërprerë FFK-ja, përkatësisht Fadil Vokrri i ndjerë, që nuk kishte dhënë leje për ndeshjen e vitit 2018, pasi në vitin 2017 ndeshja ishte keqpërdorur për të promovuar shtetin e Serbisë në mes të Kosovës.

Në Federatën e Futbollit të Kosovës e konsiderojnë provokim të Serbisë paralajmërimin për ndeshjen e së mërkurës në Zhitkoc.

"E konsideroj provokim në kohën kur FFK-së i shkojnë punët më së miri. Ua kam shpjeguar edhe medieve serbe që Kosova ka qenë pjesë e barabartë në federatën e ish-Jugosllavisë dhe që asnjëherë Serbia nuk ka organizuar gara të saj në territorin e Kosovës. Dhe tani kërkon ta bëjë këtë, për ta destabilizuar Kosovën edhe politikisht", ka thënë të martën mbrëma Eroll Salihu, sekretar i përgjithshëm i FFK-ë.

Ai e vlerëson të rrezikshëm zhvillimin eventual të ndeshjes. Thotë se FFK-ja ka bërë çdo gjë për të penguar këtë ndeshje. Ka thënë se i është përgjigjur ashpër zyrtarit të FIFA-s për letrën e dërguar, duke mohuar kategorikisht mundësinë që të tërhiqet kërkesa e bërë për policinë.

"Kjo tani është çështje shtetërore. Ne si FFK kemi bërë çdo gjë që kishim në dorë. Letra me të cilën kemi informuar se ndeshja është ilegale, përkatësisht kërkesa, ekziston në polici. Të shohim nesër se çka do të ndodhë", ka shtuar Salihu.

Ai ka theksuar se deri më tash policia ka bërë punë shumë profesionale, por ka mohuar të konkludojë nëse do të zhvillohet ndeshja apo jo.

Në klubin e ashtuquajtur Trepça kanë thënë se çdo gjë është gati për ndeshjen me Zvezdën. Trajneri dhe lojtarë të këtij klubi ilegal janë shprehur të lumtur për ndeshjen, që nëse zhvillohet vlerësohet se do të jetë goditje e madhe për shtetin e Kosovës dhe për FFK-në e organet e tjera sportive.

 

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme