Sport

Monchengladbach ngjitet në krye të Bundesligës pas fitores bindëse

Foto: Getty Images

Borussia Monchengladbach shënoi pesë gola kundër Augsburgut duke triumfuar 5:1, për t'u ngritur në krye të Bundesligës gjermane të dielën. Ndërkohë Wolfsburgu mori vendin e dytë me fitoren e shënuar ndaj Union Berlinit.

Gladbach shënoi tre gola brenda 13 minutave të parë, me Denis Zakarian (2') dhe Patrick Herrmannin (8', 13'). Epërsinë e rriti në 4:0 deri në fund të pjesës së parë me një gol tjetër të shënuar nga Alassane Plea (39'), shkruan Reuters, transmeton “Koha Ditore”. Florian Niederlechner (80') ngushtoi për 4:1, ndërsa Breel Embolo tre minuta më vonë shënoi për rezultatin përfundimtar 5:1.

Për Moenchengladbachun ishte fitorja e katërt rresht në ligë dhe pas shtatë xhirove kryeson me 16 pikë, një më tepër se Wolfsburgu që zë vendin e dytë dhe dy më tepër se Bayern Muenchen, RB Leipzig, Freiburg, Schalke e Bayer Leverkusen që kanë nga 14 pikë.

“Trajnerët në përgjithësi kanë ndonjë gjë për të cilën nuk janë të kënaqur, por unë sot nuk dua të flas për këtë. Kemi bërë shumë gjëra si duhet sot. Morëm vendimet e duhura me top, luajtëm lojë fantastike me presing, të rrjedhshme dhe kompakte. Fakti se kemi marrë epërsinë në Bundesligë është vetëm një gjë momentale”, ka thënë kryetrajneri i Gladbachut, Marco Rose.

Wolfsburgu shfrytëzoi lëshimet e skuadrave të mëdha duke u ngritur në pozitën e dytë me fitoren 1:0 në shtëpi ndaj Union Berlinit.

Wout Weghorst në minutën e 69-të shënoi golin e vetëm të ndeshjes.

Kampioni në fuqi Bayern Muencheni të shtunën pësoi 2:1 në udhëtim ngaj Hoffenheimi. Gara për titull të Bundesligës është kthyer në më të ngushtën në vitet e fundit.

Borussia Dortmundi ka rënë në pozitën e tetë me 12 pikë, pasi dy herë lëshoi avantazhin duke barazuar 2:2 të shtunën ndaj Freiburgut.