Sport

Pellegrini dy muaj jashtë fushës

Skuadra e Romës për dy muajt e ardhshëm do të jetë pa mesfushorin Lorenzo Pellegrini, i cili të martën i është nënshtruar operimit të këmbës, kanë njoftuar mediumet italiane.

Pellegrini kishte pësuar frakturë në këmbë gjatë ndeshjes së fundit të Romës ndaj Lecces, të cilën e fitoi të dielën e shkuar me rezultatin 1:0.

Bazuar në kohën e rehabilitimit pas operimit, te Roma besojnë se Pellegrini do të jetë i gatshëm për të luajtur prej fillimit të muajit dhjetor, transmeton Koha Ditore.

Ai do t'i mungojë Romës në ndeshjet derbi të kampionatit italian ndaj Napolit, Milanit dhe Interit. 23-vjeçari, këtë edicion ka patur shtatë ndeshje në të gjitha garat dhe ka bërë katër asistime.

Ai te Roma është transferuar para dy vjetësh nga Sassuolo. Pellegrini ka edhe 12 ndeshje me Përfaqësuesen e Italisë, të cilës do t'i mungojë për ndeshjet e këtij muaji dhe muajit të ardhshëm.