Sport

Unitedi shpejt do t’i nisë bisedimet me Pogban

Manchester United po shpreson t’i nisë bisedimet me Paul Pogban dhe agjentin e tij Mino Raiola për kontratë të re, raportoi “ESPN” të dielën.

Pogba ka edhe dy vjet kontratë me klubin, ndërsa klubi anglez ka opsionin për të vazhduar edhe për një vit.

Mesfushori 26-vjeçar ishte pranë largimit nga Manchester Unitedi në verë, ndërsa Real Madridi dhe Juventusi janë duke u interesuar për të, transmeton “Koha Ditore”. Por trajneri i Manchester Unitedit, Ole Gunnar Solskjaer, po shpreson të mbajë sa më gjatë yllin e Francës.

“Unë nuk shqetësohem për presidentin e Real Madridit. Nuk jam i shqetësuar tash dhe kurrë nuk do të shqetësohem as në të ardhmen, pasi Paul do të mbetet këtu. Nëse nisin spekulimet sërish në janar, prapë nuk do të ketë shqetësime. Nëse duhet të jetojmë me spekulime sërish, atëherë do ta bëjmë këtë siç e bëmë gjatë verës”, ka thënë Solskjaer.