Sport

Sharin sërish në Kosovë, kësaj here me synimin të qëndrojë gjatë

Descriptive Text

Brenda tre vjetëve, Jeronimo Sharin do të punojë për herë të tretë në basketbollin e Kosovës. Trajneri kroat në edicionin 2019/20, që nis vikendin e ardhshëm, do të jetë në krye të KB Peja, ekip që u kthye në elitë pas një viti pauzë.

Skuadra e Pejës vetëm pak minuta pasi zyrtarizoi kthimin në Superligë, konfirmoi edhe trajnerin Sharin, i cili e njeh mirë basketbollin e Kosovës. Ai më herët ka qenë edhe trajner te Prishtina dhe Bashkimi, por për periudha të shkurtra, shkruan sot Koha Ditore.

Te Prishtina u emërua në tetor të vitit 2016 për t'u larguar në fund të vitit, derisa te Bashkimi ishte në edicionin e shkuar, ku qëndroi prej muajit shkurt deri në muajin maj të këtij viti. Megjithatë, Sharin insiston se këtë herë ka ardhur për të qëndruar dukshëm me gjatë në Kosovë, pasi synimi i tij është ta nisë dhe ta përfundojë edicionin si trajner i Pejës.

"Shpresoj që kjo të jetë e treta e vërteta", thotë Sharin. "Edhe pse dy herët e para pata sukses. Pas kontakteve të Pejës me agjentin tim, ku u shpalosën planet serioze, u arrit marrëveshja mes të dyja palëve".

Për dallim prej Prishtinës dhe Bashkimit, Sharin te Peja do të ketë një mision tjetër, jo siç thotë ai të "zjarrfikësit" si në dy rastet e para.

Te Peja, Sharin do të nisë gjithçka prej fillimit, krijimin e një ekipi stabil që u kthye në basketbollin e Kosovës. Peja vitin e shkuar nuk ishte pjesë e Superligës, pasi nuk u licencua nga Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) për shkak të borxheve të mëdha ndaj FIBA-s....(Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)