FFK kërkon reagim urgjent nga FIFA e UEFA ndaj organizimit të ndeshjeve të garave të Serbisë në Kosovë Foto: Koha

FFK kërkon reagim urgjent nga FIFA e UEFA ndaj organizimit të ndeshjeve të garave të Serbisë në Kosovë

17 September 2019 19:58

Federata e Futbollit të Kosovës ka kërkuar nga FIFA e UEFA që të reagojnë urgjentisht ndaj Federatës së Futbollit të Serbisë që dëshiron organizimin e ndeshjeve garuese në kuadër të Kupës së Serbisë, në Zveçan, në mes të klubit ilegal Trepça nga Mitrovica e Veriut dhe Crvena Zvezdës nga Beogradi.

Në një reagim të FFK-së, thuhet se FIFA e UEFA nuk duhet të lejojnë shkeljen e statuteve dhe duhet të parandalojnë “ndonjë skenar të destabilizimit të gjendjes në veri të vendit tonë”.

Teksa ka thënë se nuk ka dhënë leje për ndeshje të tilla, FFK e ka cilësuar provokim të rëndë nga FFS-ja dhe ka kërkuar masa edhe nga institucionet shtetërore.

“Po ashtu kërkojmë nga institucionet e shtetit dhe organet e rendit e të sigurisë që ta trajtojnë me urgjencë këtë çështje dhe të marrin masat e duhura, në mënyrë që të mbrohet integriteti i FFK-së. FFK-ja, si organi i vetëm legal për të organizuar gara të futbollit në Kosovë, nuk ka dhënë leje për zhvillimin e një ndeshje të tillë dhe këtë e vlerëson si provokim të rëndë nga Federata e Futbollit e Serbisë”, thuhet në njoftim.

Në fund, FFK ka shtuar se është e hapur për t’i përfshirë në ombrellën e vet të gjitha klubet që veprojnë në Kosovë, pa marrë parasysh përkatësinë etnike.

“Prandaj, i ftojmë klubet serbe që ta pranojnë sa më parë realitetin dhe aktivitetin e tyre ta zhvillojnë në kuadër të garave të rregullta të organizuara nga FFK. Çdo gjë tjetër është mashtrim dhe nuk i dërgon ato në rrugën e zhvillimit dhe perspektivës!” thuhet në reagim të FFK-së.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme