Sport

Liverpooli nis mbrojtjen e titullit kundër Napolit

Liverpooli stinorin e kaluar fitoi titullin e kampionit në Ligën e Kampionëve, mirëpo skuadra e madhe angleze para se të arrinte këtë, me shumë vështirësi e kishte kaluar fazën e grupeve.

Madje vetëm falë një fitoreje 1:0 në shtëpi ndaj Napolit arriti të siguronte kalimin në 1/8 e finales të Ligës së Kampionëve. Në atë ndeshje me Napolin, portieri Alisson Becker bëri një pritje spektakolare për të mbajtur fitoren e Liverpoolit.

Liverpooli të martën mbrëma do të nisë edicionin e ri të Ligës së Kampionëve pikërisht kundër Napolit. Do të jetë mysafir i Napolit në Grupin E të Ligës së Kampionëve. Në ndeshjen e edicionit të kaluar në Itali, Liverpooli kishte pësuar 1:0, shkruan sot Koha Ditore.

"Unë kurrë nuk kam qenë në këtë situatë. Ku kam shkuar si kampion në fuqi i Evropës? Kështu që nuk e di, nuk ia kam idenë, por e besoj se Napoli do të jetë vërtet i motivuar. Kur luajtëm miqësore parasezonale, Carlo Ancelotti më dha një shishe verë të kuqe dhe më shkroi një mesazh urimi. Napoli ka një skuadër shumë të fortë. Do të jetë ndeshje e vështirë për ne", ka thënë trajneri i Liverpoolit, Juergen Klopp.

Derisa Napoli është për herë të katërt rresht në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve, Liverpooli është në vitin e tretë rresht. Ka fituar titullin stinorin e kaluar dhe ka arritur në finale në vitin 2018.

(Më gjerësisht lexoni sot në Koha Ditore)