Sport

Ancelotti i zemëruar me zvarritjen e punimeve në zhveshtore

Trajneri i Napolit, Carlo Ancelotti, është zemëruar me të zbuluar se zhveshtoret e stadiumit të Napolit janë ende në ndërtim e sipër, ndërsa kanë mbetur pak ditë para se skuadra ta presë Liverpoolin në ndeshjen e Ligës së Kampionëve.

Napoli ishte pajtuar të luante dy ndeshjet e para si mysafir për të lejuar rinovimin, transmeton Koha Ditore.

Mirëpo Ancelotti ka kritikuar ashpër kontraktuesit kur e ka parë gjendjen e zhveshtoreve.

"Unë e pashë gjendjen e zhveshtoreve në stadiumin 'San Paolo'. Nuk kam fjalë. Unë kam pranuar kërkesën e kompanisë për të luajtur dy ndeshjet e para jashtë shtëpisë që të lejohet të kryhen punimet, kështu ishte premtuar. Për dy muaj mund të ndërtosh një shtëpi, ndërsa kompania nuk ka qenë në gjendje të bëjë rinovimin e zhveshtoreve! Ku duhet të luajmë kundër Sampdorias e Liverpoolit?", ka thënë Ancelotti. "Jam shumë i zemëruar me këtë jokorrektësi dhe papërshtatshmërinë e atyre që është dashur t’i bëjnë këto punë".

Liverpooli do të udhëtojë në Itali të martën për të nisur fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve.

Por së pari Liverpooli do të luajë ndaj Newcastlet të shtunën.

Stadiumi "San Paolo" i Napolit me 55 mijë ulëse është ndërtuar në vitin 1959 dhe po tregon "shenja lodhjeje", ku ka hapësira të rrezikshme mes ulëseve dhe po ashtu infrastruktura është në gjendje të mjerë.

Punët për rinovimin e stadiumit ishin të nevojshme pas garave të atletikës në kuadër të Universiadës që u mbajt në verë.

Arkitektja Floriana Smiragli, që është duke mbikëqyrur punën e ndërtimit, ka thënë se është e shokuar me deklaratën e Ancelottit, ndërsa ka shtuar se 60-vjeçari as që ishte në stadium.

"Ne jemi të shtangur me këtë sulm të Ancelottit, veçanërisht pasi sot kemi vizituar zhveshtoret me zëvendëspresidentin Edoardo de Laurentiis, që na komplimentoi për punën e bërë. Siç është planifikuar, të premten në mëngjes stadiumi do të dorëzohet në kushte perfekte dhe shumë funksional. Jam e shokuar, pasi gjithmonë kemi pasur marrëdhënie të sinqerta me Napolin dhe unë lexoj deklaratat e Ancelottit, që nuk ishte fare në stadium. Mendoj se i kanë dërguar atij fotografi të vjetra", ka thënë Floriana për "CalcioNapoli24".