Sport

Xhaka në dyshim për ndeshjen ndaj Watfordit

Mesfushori Granit Xhaka ka gjasa të mëdha t’i mungojë Arsenalit për ndeshjen kampionale të kësaj fundjave.

Mediumet angleze kanë raportuar të enjten se trajneri i Arsenalit, Unai Emery, nuk është i sigurt nëse do ta ketë Xhakën në dispozicion për ndeshjen në udhëtim ndaj Watforfit.

Kjo ndeshje luhet të dielën (17:30) dhe i takon xhiros së shtatë në Premier League.

Xhaka ka pësuar një lëndim gjatë ndeshjes eliminatore për “Euro 2020” me Zvicrën kundër Gjibraltarit.

Për shkak të këtij lëndimi, Xhaka u detyrua të zëvendësohet në minutën e 74-t, derisa Zvicra shënoi fitore 4:0. “Granit Xhaka është në dyshim për ndeshjen me Watfordin pas lëndimit të fundit që e pësoi në eliminatore”, ka shkruar “Daily Mirror”.

26-vjeçari këtë edicion ka tri paraqitje kampionale me Arsenalin, ku është edhe kapiten.