Federata e Basketbollit e Kosovës ka bërë të ditur se është njoftuar nga Federata Ndërkombëtare e Basketbollit që edhe në verën e ardhshme, do të jetë pjesëmarrëse me gjashtë përfaqësuese të reja në garat evropiane.
Pesë përfaqësuese do të jenë në Divizionin B dhe një në atë C. Kosova U20 dhe U18 te meshkujt do të garojnë në Divizionin B, si dhe U20, U18, U16 te femrat, derisa në Divizionin C do të garojë Kosova U16 meshkujt.
Sipas njoftimit, FIBA gjithashtu e ka ftuar FBK-në që të aplikojë për organizimin e një Evropiani.
“Për të gjitha këto pritet që shumë shpejt të vendosë Bordi i FBK-së, se, me cilat Përfaqësuese do të garojmë, si dhe a do të kandidojmë për organizimin e Kampionati tjetër në Prishtinë”, thuhet në njoftim të FBK-së.
Vitin e kaluar në Kosovë ishte organizuar Kampionati Evropian, Divizioni C për meshkuj U18, ku kishte triumfuar Kosova, derisa në muajin gusht të këtij viti u organizua Kampionati Evropian, Divizioni B, për femra U20.