Sport

KOK-u vazhdon me kurse për dy federata të themeluara këtë vit

Komiteti Olimpik i Kosovës ka vazhduar kurset për administratorët e federatave kosovare.

Kësaj radhe pjesëmarrës në këtë kurs ishin dy federatat e themeluara këtë vit, ajo e Triatlonit dhe Maythait.

Pjesëmarrësit në këtë kurs për tri ditë radhazi morën njohuri të realizimit të planit strategjik rreth federatave të tyre.

Gjithashtu, gjatë këtij kursi i pranishëm ishte edhe sekretari i përgjithshëm i Komiteti Olimpik të Kosovës, Shasivar Haxhijaj i cili ua shpjegoi vijuesve të kursit në detaje rregulloren e Ligjit për Sponsorizim, si dhe procesin deri te marrja e vërtetimit nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport.

Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani u shpreh i kënaqur me ecurinë e kursit, duke parë edhe pjesëmarrjen e administratorëve, të cilët ishin në një numër të kënaqshëm.

“Ky është kursi që po organizohet kësaj radhe për administratorët e Federatës së Triatlonit dhe Federatës së MuayThait. Për herë të parë i kemi bërë së bashku dy federata, sepse që të dyja janë të formuara gjatë këtij viti dhe janë në një stad zhvillimor fillestar, kështu që besoj që edhe këta kanë mbetur jashtëzakonisht të kënaqur me atë që kanë dëgjuar dhe do të jetë kjo gjithsesi në funksion të avancimit të federatës së tyre. Interesimi ka qenë shumë i madh, pjesëmarrja relativisht masovike dhe ne vazhdojmë edhe më tej deri në përfundim me kurse me të gjithë administratorët e secilës federatë në Kosovë”, tha Hasani.

Ndërkaq kryetari i Federatës së MuaytThait, Shpejtim Ahmetaj tha se ky kurs do t’iu ndihmojë në rritjen e kësaj federate dhe në rritjen e talenteve të reja në këtë sport.

“Që tri ditë radhazi, Federata e MuayThai Kosovapo vijon kursin e organizuar nga Komiteti Olimpik. Unë si presidenti i Federatës MuayThai Kosova e falënderoj Komitetin Olimpik dhe njëkohësisht e falënderoj edhe presidentin Besim Hasanin për mundësinë e dhënë si federatës time ashtu edhe federatave tjera që të vijojmë këtë kurs. Ne mendojmë që në vijimin e këtij kursi federatat në vendin tonë e sidomos federata MuayThai Kosova do të avancohet edhe më shumë si në menaxhim e federatës brenda, si dhe avancimin e të rinjve në sportin e MuayThait”, theksoi ai, transmeton kp.

Elionita Halimi nga Federata e Triatlonit të Kosovës, theksoi se një kurs i tillë i është nevojitur shumë kësaj federate të sapo themeluar, derisa ajo dhe vijuesit tjerë morën njohuri të reja menaxhuese.

“Pavarësisht tri ditëve kursi ka qenë mjaft i mirë dhe kemi mësuar njohuri të reja rreth organizimit sportiv dhe planit strategjik. Ka qenë diçka që ndoshta më herët nuk kemi pasur njohuri paraprake siç kemi tani. Domethënë, gjithçka ka shkuar në rregull. Ligjëruesit kanë qenë të nivelit të lartë, kështu që gjithmonë kur kemi të bëjmë me njerëz të nivelit të lartë jemi të kënaqur”, përfundoi ajo.

Kujtojmë që Komiteti Olimpik i Kosovës qysh nga viti 2017 ka filluar me organizimin e kurseve të tilla dhe deri më tani më shumë se 20 federata kanë arritur të certifikohen.