Muslija: Kurrë s’do ta harrojë këtë moment Foto: Reuters

Hadërgjonaj: Ky është vendi im, kjo është Kosova

07 September 2019 17:09
17:56

Florent Hadërgjonaj ka thënë se fitorja e Kosovës ndaj Çekisë ishte rezultat i përbashkët i ekipit.

Ai ka thënë se i gjithë ekipi ka dhënë maksimumin për fitoren kundër Çekisë, 2 me 1, transmeton Koha.net.

Hadërgjonaj tutje ka shtuar se me Anglinë do i pretë lojë e vështirë, edhe pse thotë se beson në fitore.

“Besoj që na jemi ekip dhe të gjithë po luftojmë bashkë. Kjo që fituam këtu është shumë lojë e rëndësishme, besoj që e kemi dhënë maksimumin. Është bërë lajm Kosova sepse jemi disa ndeshje pa humbje, edhe njëjtë do të luajmë me Anglinë, është bërë e madhe dhe të gjithë më kanë pyetur për atë ndeshje”, ka thënë ai.

Derisa në një postim në Facebook, Hadërgjonaj ka shkruar, “Ky është vendi im, kjo është Kosova”.

17:43

Vojvoda: Sot treguam sa jemi rritur këto 3 vjet

Mbrojtësi, Mërgim Vojvoda ka thënë se fitorja e sotme ndaj Çekisë ka treguar se sa shumë është rritur Kosova në këto 3 vitet e fundit.

“Sot treguam sa jemi të lidhur mes vete, treguam sa shumë fuqi kemi dhe sa jemi rritur këto 3 vjet”, tha ai, transmeton Koha.net.

Vojvoda, pas ndeshjes, foli edhe për lojën që do ta zhvillojnë me Anglinë.

“Ne jemi Kosovë, jemi shtet i vogël që po rritet. Duhet besuar në këtë ëndërr. Me Anglinë do të jetë shumë vështirë por duhet ta kemi gjithë këtë pozitivitet”, shtoi ai.

17:32

Rrahmani: Kemi dhënë maksimumin sot, do ta bëjmë edhe ndaj Anglisë

Kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani, ka thënë se gjatë ndeshjes me Çekinë e kanë dhënë maksimumin për të fituar me rezultat prej 2 me 1.

Ai ka thënë se Çekia ishte super ekip, derisa ka shtuar se i pret lojë më e vështirë me Anglinë.

“Të gjithë lojtarët e kemi dhënë maksimumin. Kam thënë gjatë gjithë kohës që do ta japim maksimumin. Çekia është super ekip, as ne nuk kemi besuar që do të luajmë kështu. Edhe ne mund të konkurrojmë me ta. Ju e dini që do të jetë e vështirë, ne do të luftojmë për rezultat pozitiv, ju premtoj që do të japim maksimumin. Anglia ka fituar me Çekinë 5:0 dhe është kandidat për vend të parë”, ka thënë Rrahmani.

Ndërkaq për ndeshjen me Malin e Zi, ai ka thënë se nëse marrin rezultat pozitiv me Anglinë dhe Çekia dështon me ndonjë ndeshje, do t’i hapte shumë rrugë ekipit.

17:22

Challandes: Performancë e jashtëzakonshme, lojtarët ishin të gatshëm të vdisnin në fushë

Trajneri i Kosovës, Bernard Challandes është ndarë jashtëzakonisht i kënaqur me performancën e ekipit të tij në fitoren ndaj Çekisë.

Kosova e fitoi këtë përballje me rezultat prej 2 me 1 për të rritur gjasat për kualifikim në Euro 2020, transmeton Koha.net.

“Ishte karakteri i ekipit. Ne pranuam gol, por ekipi nuk u dorëzua dhe lojtarët ishin të gatshëm të vdisnin në fushë. Ishte një performancë e jashtëzakonshme e ekipit”, ka thënë Challandes, transmeton Koha.net.

Ai thotë se Kosova do të luftojë deri në fund.

“Nuk dua të flas momentalisht për vendin e parë, do të luftojmë deri në fund. Ne do të luajmë ndaj Anglisë, e Malit të Zi e në fund ndaj Çekisë. Nuk mund të them se ndeshja ndaj Malit të Zi do të jetë vendimtare, por ne duhet të fitojmë atë ndeshje. Duhet të mbajmë këmbët në tokë. Është një vazhdimësi shumë e mirë (me 15 ndeshje pa humbje) dhe duhet ta uroj ekipin”, u shpreh Challandes.

17:17

Muriqi: Edhe me Anglinë do ta japim maksimumin

Sulmuesi Vedat Muriqi ka thënë se kjo ishte fitore për gjithë Kosovën.

“Nëse vazhdojmë kështu ëndrrat tona do të bëhen realitet”, tha ai.

Ka shtuar se është e nevojshme performanca e mirë në fushë.

“Sa herë vijmë këtu, për shtetit, luajmë edhe më mirë. Unë dhe të tjerët në fushë jemi në gjendje ta lëmë edhe shpirtin”, tha tutje Muriqi, që shënoi në fitoren prej 2 me 1 ndaj Çekisë.

Me Anglinë, që do të luajnë pas disa ditësh, tha se do ta japin maksimumin.

“Do të luajmë 100% pavarësisht me kë luajmë. Do të luajmë me një vend të madh, do të jetë lojë edhe më e vështirë. Edhe atje besoj se do të na përkrahin fansat tanë. Shpresojmë të marrim 1 pikëshin ose 3 pikëshin”, shtoi tutje.

17:09

Muslija: Kurrë s’do ta harrojë këtë moment

Florent Muslija sot ka debutuar në fanellën e Kosovës, e këtë moment ai ka thënë se s’do ta harrojë kurrë.

Muslija debutoi me fitoren e rëndësishme të Kosovës prej 2 me 1 ndaj Çekisë, transmeton Koha.net.

“Jam shumë gëzuar për debutimin tim. Kemi dhënë maksimumin sot. Është ndeshja ime e parë, është moment që kurrë nuk kam me harruar”, ka thënë Muslija.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme