Sport

FFK-ja nderon Enis Alushin

Ish-mesfushori Enis Alushi do të nderohet nga Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) për kontributin e dhënë në krijimin e përfaqësueses së Kosovës.

FFK-ja të enjten ka bërë të ditur se Alushi do të marrë dekoratë para fillimit të ndeshjes mes Kosovës dhe Çekisë, që do të luhet të shtunën në stadiumin "Fadil Vokrri" në kuadër të eliminatoreve për "Euro 2020".

Alushi ishte bartës i lojës së Kosovës kur FIFA mori vendim për lejimin e zhvillimit të ndeshjeve miqësore ndërkombëtare. Ai ka luajtur disa vjet dhe vazhdimisht ishte prej kryesorëve, shkruan Koha Ditore.

"Presidenti Agim Ademi ka pritur sot ish-futbollistin e Kosovës, Enis Alushi, me të cilin më pas kanë përcjellë nga afër stërvitjen në stadiumin 'Fadil Vokrri'. Me këtë rast presidenti Ademi ka bërë të ditur se Enis Alushi do të dekorohet me një çmim të veçantë në ditën e ndeshjes Kosovë - Çeki për kontributin e tij të madh në krijimin e Kombëtares së Kosovës", thuhet në njoftim.

Alushi kohë më parë është tërhequr nga futbolli aktiv, kurse për Kosovën ka regjistruar dhjetë paraqitje (2014-2017).