Sport

Challandes: Vetëm puna kolektive do t’i mbulojë mungesat

Descriptive Text

Sipas përzgjedhësit të Kosovës në futboll, Bernard Challandes, Kosova do të mund t’i mbulojë mungesat e mëdha që ka për ndeshjet me Çekinë dhe Anglinë, vetëm nëse bën lojë ekipore.

Në një konferencë për media, një javë para ndeshjeve të vlefshme kualifikuese për Euro 2020, Challandes ka thënë se asnjë ekip s’është i njëjtë kur ka mungesa të mëdha.

“Nuk jam budalla. E di sa vështirë është me këto mungesa. Edhe Franca po të luante pa Mbappen, Griezmannin, Pogban, Kanten e Hernandez as ajo s’do të ishte e njëjtë. I njëjti parim vlen edhe për Kosovën. Na mungojnë pesë lojtarë të përbërjes së parë”, ka thënë ai.

Kosova më 7 shtator ndaj Çekisë dhe tre ditë më pas ndaj Anglisë do të luajë pa yjet Milot Rashica, Arbër Zeneli, Hekuran Kryeziu, Herolind Shala e Benjamin Kololli.

“Si trajner mund të qaj, të ankohem për mungesat ose të gjej zgjidhje. Sigurisht, kam zgjedhur të gjej zgjidhje. Duhet t’i jap besimin lojtarëve që të punojnë shumë. Mendoj se nuk mund të gjej zgjidhje, duke zëvendësuar lojtarë kokë më kokë. Kemi vetëm një zgjidhje. Është reagim kolektiv. Punë e përbashkët. Duhet të jemi kompaktë, jo vetëm në fushë, por me mentalitetin tonë. Të jemi luftarakë. Shumë të fortë në kokë. Është puna ime të provokoj në një masë lojtarët që do të paraqiten ndaj një prej skuadrave më të forta në botë si Anglia dhe ndaj kombëtares jashtëzakonisht të fortë si Republika Çeke”, ka thënë tutje ai.

Challandes ka thënë se pret përballje shumë të vështira, me fokusin që ka thënë se aktualisht është te Çekia.

“Çekia ka pasur paraqitje shumë të mira. Mund të mbrohet shumë mirë. Bën presion shumë. Shumë skuadër e fortë edhe fizikisht. Mund të jetë problem për ne sepse kanë katër-pesë lojtarë shumë të gjatë, e ne s’jemi aq shumë. S’është e lehtë”, ka thënë ai.

Kosova është pjesë e Grupit A kualifikues. “Dardanët” janë në vendin e tretë me pesë pikë pas tri ndeshjeve. Në “Fadil Vokrri” presin Çekinë që ka gjashtë pikë, ndërsa ndaj Anglisë luajnë si mysafirë. Anglia i prin grupit me gjashtë pikë po ashtu.