AFP shkruan për Kosovën si fuqi botërore të xhudos

AFP shkruan për Kosovën si fuqi botërore të xhudos

25 August 2019 10:22

Kombi i ri dhe i vogël i Kosovës ka shpërthyer si fuqi botërore e xhudos, me suksesin e papritur të saj të udhëhequr nga kampionia olimpike Majlinda Kelmendi. Kështu nis artikullin dedikuar xhudos kosovare, agjencia prestigjioze e lajmeve AFP.

“11 vjet pasi mori pavarësinë nga Serbia dhe në Lojërat e para Olimpike, suksesi i Kelmendit në Rio më 2016, ia mundësoi Kosovës dhe dy milionë banorëve të saj të mposhtin vëllanë e madh, Shqipërinë, që s’ka fituar kurrë ndonjë medalje olimpike në ndonjë sport”, thuhet në fillim të artikullit.

AFP vazhdon duke shkruar se historia e suksesit të xhudos kosovare u krijua nga trajneri Driton Kuka, në qytetin e Pejës.

“Jam i sigurt se po të mos ishte Toni, Kosova nuk do të kishte këto medalje sot, sidomos të artën olimpike”, ka thënë kampionia 28-vjeçare për AFP-në.

Kjo agjenci lajmesh thotë se Kelmendi u kthye në heroinë kombëtare pas suksesit në Rio, që erdhi pas titujve të botës më 2013 dhe 2014.

48-vjeçari Kuka ka treguar për AFP-në se tani ka 14 garues në të gjitha kategoritë që kanë arritur nivelin më të lartë.

Të gjithë vijnë nga i njëjti vend.

“Hakmarrja”

Duke krijuar një ekip kaq të fuqishëm, AFP thotë se Kuka po hakmerret për historinë e trazuar të Kosovës që i kushtoi në karrierën e tij. Më 1992, kur afroheshin Lojërat Olimpike në Barcelonë, Kuka ishte më i miri në Jugosllavi në xhudo në kategorinë nën 71 kilogramë dhe ishte ndër favoritët për medalje. Por që kur më 1989 situata ishte e tensionuar, atletët shqiptarë kishin braktisur ekipet jugosllave.

“Ëndrra ime olimpike u shua”, ka kujtuar Kuka, duke shtuar se i kishte mposhtur të gjithë medalistët e Barcelonës në rrugëtimin drejt këtyre lojërave olimpike.

Në fund të luftës në Kosovë, Kuka e themeloi ekipin e tij në lagjen “Asllan Çeshmja” në Pejë. Fëmijët e atyre që u kthyen dhe gjetën gjithçka të shkatërruar në lagjen e tyre ishin nxënësit e parë të Kukës. Kelmendi që jeton afër qendrës sportive ishte ndër të parat që iu bashkua klubit, shton AFP.

Tani triumfi i madh i Majlindës ka sjellë festë të madhe në rrugët e Pejës.

“Kemi transformuar fëmijët që kishin vuajtur nga lufta në kampionë bote, duke e matur veten me shtete si Franca, Japonia ose Brazili që kanë mijëra xhudistë në ekipet e tyre”, ka vazhduar Kuka.

Gazetari i Kohës Ditore, Arsim Maxhera, ka thënë për AFP-në se “Kelmendi është tregimi më i suksesshëm në vend, jo vetëm në sport”

“S’ka titull që ju ka shpëtuar xhudistëve që vijnë nga e njëjta lagje”, ka shtuar ai, transmeton Koha.net.

Falë suksesit të madh, Peja tani ka pesë klube të xhudos me rreth 500 njerëz që ushtrojnë.

Tani garuesit kosovarë janë duke luftuar për medaljet e radhës në kampionate botërore. Sot ka nisur Kampionati Botëror “Tokio 2019”, me Kosovën që paraqitet me Majlinda Kelmendin, Nora Gjakovën, Distria Krasniqin, Akil Gjakovën e Loriana Kukën.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme