Debutoi me fitore te skuadra e Feronikelit, duke triumfuar kundër Drenicës, 4:1, në ndeshjen e javës së parë të Superligës. Megjithatë, trajneri nga Mali i Zi, Dejan Vukiqeviq, thotë se nuk është i kënaqur me lojën e treguar në disa periudha dhe, sipas tij, ende janë larg lojës që e kërkon.
44-vjeçari frikësohet se mund të përballen me probleme për shkak se ekipi nuk ka pushuar gjatë verës, raporton KTV.
“Secili trajner e ka lojën e vet. Larg jemi prej asaj që unë kërkoj. Është specifike të punosh në këtë kohë, pasi ky ekip nuk ka pasur pushim veror për shkak të ndeshjeve në Evropë dhe problemet fillojnë tash. Ka pak javë që jam këtu dhe nuk e kam kryer unë fazën përgatitore, por e falënderoj ish-trajnerin që e ka lënë një ekip të shëndoshë. Është shumë e rëndësishme pauza, që do ta kemi kur do të luajnë kombëtaret. Besoj se brenda 15 ditëve do ta përgatitemi dhe do të eliminojmë gabimet”, ka thënë ai.
Malaziasi që e gjeti ekipin e gatshëm të cilin e kishte ndërtuar Zekirija Ramadani, thotë se po të kishte mundësi do të sillte lojtarë të rinj.
“Edhe po të vija më herët, këta lojtarë do të mbeteshin në ekip. Por, po të kisha mundësi në secilën pozitë do ta transferoja nga një lojtar, pasi nuk mund të mbështetemi në një numër të vogël të lojtarëve. Kampionit nuk i ka hije të improvizojë, pasi në secilën ndeshje duhet të kemi zgjidhje dhe për ata na duhet gjak i freskët. Nuk kemi çka të bëjmë, do të punojmë me këta që janë. Jam i kënaqur me të gjithë, me kualitetin që kanë dhe me harmoninë që është brenda në zhveshtore”, ka deklaruar më tej ai.
Sipas tij, Drita dhe Prishtina janë përforcuar shumë dhe kanë ambicie për titull, por Vukiqeviqi e sheh Feronikelin në përparësi, pasi e ka ruajtur ekipin e vitit të kaluar.
Në javën e dytë, Feronikeli do të jetë mysafir i Ballkanit në Suharekë.