Reprezentuesi i Finlandës, Teemu Pukki, doli në qendër të vëmendjes në fundjavë, para sulmuesve më me renome, duke shënuar “hat-trick” për skuadrën e re në Premier League, Norwich City. Ai u bë lojtari i parë i Norwichit që nga viti 1993 që shënoi tre gola në një ndeshje të Premier Leagues. Efan Ekoku kishte shënuar katër gola kundër Evertonit në shtator të vitit 1993.
Pukki shënoi tre gola në fundjavë në fitoren 3:1 të Norwichit ndaj Newcastle Unitedit, ndërsa skuadra e tij mori pikët e para të stinorit, shkruan AFP, transmeton “Koha Ditore”. Ai po ashtu kishte shënuar golin e vetëm të Norwichit në humbjen 4:1 ndaj Liverpoolit në xhiron e parë.
“AFP Sport” zgjedh tri gjëra për finlandezin, që pas disa starteve të gabuara në ligat e tjera evropiane, duket se e ka gjetur hapin në moshën 29-vjeçare.
Një lojtar i adhuruar i Norwichit
I transferuar si lojtar i lirë nga skuadra daneze Brondby në vitin 2018, Pukki shënoi 29 gola për Norwichin, duke ndihmuar skuadrën që të ngjitet automatikisht në Premier League stinorin e kaluar, si fituese e Kategorisë së Dytë.
Drejtori sportiv i Norwichit, Stuart Webber, ka qenë adhurues i Pukkit gjithmonë dhe madje kishte qenë pranë të transferonte finlandezin te Wolverhampton Wanderersi gjashtë vjet më parë. Me gjithë suksesin e tij, Pukki është i njohur si lojtar që qëndron me këmbë në tokë.
“Ka shumë para në futboll këto ditë, me gjithë shifrat e çmendura të dëmshpërblimeve që vetëm sa po vazhdojnë të rriten. Unë kam ardhur si lojtar i lirë, kështu që mendoj se ka qenë biznes mjaft i mirë për Norwichin”, ka thënë Pukki për “The Daily Telegraph” më herët këtë muaj.
Shumë tifozë të Norwichit besojnë se ai është rrugës që të bëhet legjendë e klubit të tyre. Madje tifozët e Norwichit e kanë aq shumë për zemër sa kanë krijuar këngë për të.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)