Sport

Barça ofron 100 milionë euro plus Coutinhon për Neymarin, nis delegacionin në Paris për bisedime

Barcelona ka dërguar një delegacion, përfshirë menaxherin teknik Eric Abidal, në Francë për të biseduar me Paris Saint-Germainin për një marrëveshje për transferimin e Neymarit.

Siç raporton “RAC1” dhe e konfirmuar për “Goal”, Abidal bashkë me anëtarin e bordit Javier Bordas dhe specialistin e tregut brazilian Andre Cury, kanë udhëtuar drejt Parisit për të negociuar.

Barcelona planifikon të ofrojë fillimisht 100 milionë euro plus Philippe Coutinhon. Katalonasit duhet të ulin pak shpenzimet e pagave dhe nuk mund të mbajnë të gjithë yjet, ndërsa PSG është e vendosur të pranojë së paku 222 milionë euro, aq sa pagoi për Neymarin kur e transferoi më 2017 nga Barcelona, transmeton Koha.net. Po ashtu mësohet se klubi francez dëshiron edhe shërbimet e mbrojtësit të djathtë Nelson Semedo. Një ofertë që do të konsiderohej nga krerët e PSG-së do të ishte përfshirja e Coutinhos, Semedos dhe 50 milionë euro.

Vendimi i Neymarit për rikthim në Spanjë ka shtuar reagimet negative të tifozëve në Francë. “Bir bushtre” ishte thirrja që u bë nga disa tifozë në Parkun e Princave dhe “Largohu nga klubi” në hapjen e sezonit në Ligue 1 në fundjavë.

Afati kalimtar në Spanjë mbyllet më 2 shtator dhe deri atëherë duket se do të jetë një përballje Barcelona – Real Madrid për yllin brazilian.