Sport

Arsenali vlerëson paraqitjen e Xhakës

Descriptive Text

Me shiritin e kapitenit në krah, Granit Xhaka ka pasur një paraqitje shumë të suksesshme për Arsenalin të dielën. Në hapje të edicionit të ri në Premier League, Arsenali fitoi 1:0 në udhëtim ndaj Newcastlet.

Xhaka kompletoi ndeshjen në mesfushë, ndërsa mori një karton për ndërhyrje të ashpër në minutën e 81-të. Xhaka është në pritje që të konfirmohet si kapiten i Arsenalit dhe paraqitja e së dielës do t'i ndihmojë në këtë, transmeton Koha Ditore.

"Kualitetet e tij prej lideri janë të qarta. Ai performoi mirë në ndeshjen e tij të 100-të në Premier League dhe me shirit të kapitenit në krah. Kur ekipit i është dashur qetësi në momentet e fundit të ndeshjes, Xhaka ka bërë një vrapim të suksesshëm dhe fitoi një faull, për të fituar kështu kohë. Ishte një paraqitje e mençur nga një lojtar me përvojë, që vetëm ka rritur gjasat që të sigurojë shiritin e kapitenit", ka shkruar sajti i Arsenalit në një analizë për ndeshjen me Newcastlen.

Edhe media të afërta me Arsenalin kanë vlerësuar paraqitjen e Xhakës. Ai ua ka kushtuar fitoren dy bashkëlojtarëve, Sead Kolashinac e Mesut Oezil, që po kanë telashe të natyrës së sigurisë dhe munguan në ndeshjen e parë të edicionit të ri.

"E dimë ngjarjen për Seadin dhe Mesutin. Nuk është e lehtë për ta dhe për familjet e tyre. Kështu që jemi munduar të bëjmë më të mirën dhe të sigurojmë një fitore për ta. Është gjithnjë mirë kur fiton në udhëtim. Ndeshjet me Newcastlen janë gjithnjë të vështira. Në pjesën e dytë ishim më të mirë. Jemi të lumtur që morëm të tria pikët", ka thënë Xhaka.