Sport

Zenitit i duhet ta shesë Malcomin shkaku i tifozëve racistë

Foto: Sky Sports

Zenit St. Petersburg ka gjasa ta shesë sulmuesin brazilian, Malcom, në janar, pas pakënaqësive që ka shkaktuar transferimi i tij në mesin e tifozëve racistë të skuadrës. Tifozët e gjigantit rus kanë protestuar për transferimin e brazilianit 22-vjeçar nga Barcelona për 40 milionë euro, raporton “The Sun”.

Gjatë barazimit 1:1 me Krasnodarin në fundjavë, tifozët shpalosën një pano duke kritikuar klubin se është larguar nga tradita, me transferimin e një lojtari zezak, shkruan sot “Koha Ditore”.

Në atë pano në sarkazëm shkruhej: “Faleminderit lidershipit për besnikërinë ndaj traditave”.

Tash, raportimet në Rusi thonë se Zeniti po shqyrton mundësinë ta shesë Malcomin për t’i qetësuar tifozët, që shkruan një manifest të gjatë me titullin: “Zeniti dhe lojtarët e zi”.

Në të shkruante: “Ne nuk jemi racistë dhe për ne mungesa e lojtarëve të zinj është thjesht një traditë e rëndësishme, që tregon identitetin e klubit dhe asgjë më tepër. Ne, si skuadra më veriore e një prej qyteteve më të mëdha të Evropës, kurrë nuk kemi qenë mendërisht të lidhur me Afrikën, sikur as me Amerikën e Jugut, Australinë apo Oqeaninë. Ne nuk kemi asgjë kundër banorëve të këtyre dhe kontinenteve të tjera, por në të njëjtën kohë ne duam lojtarë që janë afër me shpirt me skuadrën dhe të flasin për Zenitin. Të jemi ata që jemi. Por ne nuk mund të injorojmë edhe specifikat e kampionatit rus. Vendi ynë dominohet nga fusha të vështira dhe të forta të futbollit, shumica që lënë shumë për të dëshiruar. Pos kësaj, shumica e kampionatit mbahet në kushte të vështira atmosferike. Sipas këtyre kushteve, është e vështirë për lojtarët teknikë nga shtetet e nxehta të zbulojnë talentin e tyre të plotë këtu”.

Nuk është hera e parë që ka pasur akuza për racizëm nga klubet nga ish-blloku sovjetik.

Rusia është gjobitur me 22 mijë funte për thirrje raciste në miqësoren ndaj Francës në maj të vitit 2018, pak para fillimit të Botërorit 2018 që u mbajt në Rusi.

Po ashtu, në vitin 2012, tifozët e Zenitit nisën një fushatë për të ndaluar klubin e tyre që të blejë lojtarë me ngjyrë dhe po ashtu lojtarë homoseksualë.