Sport

Përvoja evropiane e Jetmirit mund t'i ndihmojë Ballkanit

Përvoja evropiane e Jetmirit mund t'i ndihmojë Ballkanit
 

Një ditë pas eliminimit të Feronikelit nga garat evropiane, në të cilat ishte pjesë e kampionit të Kosovës, sulmuesi Jetmir Topalli menjëherë iu bashkua në stërvitje Ballkanit që po përgatitet për edicionin 2019/20 të Superligës së Kosovës që nis më 17 gusht.

Topalli 21-vjeçar, në ndeshjen e fundit evropiane të Feronikelit kundër Slovanit të martën në Prishtinë, u aktivizua prej minutës së 68-të. Nikli pësoi humbje edhe në ndeshjen e kthimit për t'u eliminuar në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Evropës. Dy javë më herët, Nikli u eliminua edhe nga raundi i parë i Ligës së Kampionëve pas triumfit në turneun parakualifikues të mbajtur në stadiumin "Fadil Vokrri". Topalli luajti për Feronikelin në katër ndeshje të këtyre garave evropiane, pasi ishte huazuar nga Ballkani me kërkesën e trajnerit Zekirija Ramadani. Në fakt, Ballkani për garat evropiane nuk ia kishte huazuar vetëm Topallin, por edhe mbrojtësin e krahut të majtë, Arbër Potoku. Të mërkurën, si Topalli ashtu edhe Potoku kanë stërvitur nën urdhrat e Ismet Munishit te Ballkani.