Pas dy miqësoreve të zhvilluara javën e shkuar në Bratisllavë ndaj Sllovakisë, Kosova këtë javë do t'i luajë edhe dy miqësore të tjera.
Kosova këtë herë për kundërshtare në kuadër të përgatitjeve për fazën e tretë parakualifikuese për “Eurobasket 2021”, që nis muajin tjetër, do të ketë Shqipërinë, ka njoftuar Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) të mërkurën.
Ndeshjet do të luhen të premten dhe të shtunën në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë. Të dyja do të nisin në orën 19:00 dhe të dyja do të jenë me dyer të mbyllura për publikun, me kërkesën e përzgjedhësit Damir Mullaomeroviq, shkruan “Koha Ditore”.
“Këto dy miqësore vëllazërore me Shqipërinë do të ndihmojnë përzgjedhësin Damir Mulaomerviq të shohë formën e lojtarëve dhe njëherësh që 'Dardanët' të përgatiten sa më mirë për ndeshjet parakualifikuese për 'Eurobasket 2021'“, thuhet në njoftimin e lëshuar nga FBK-ja.
Dy ndeshjet e javës së shkuar ndaj Sllovakisë, Kosova i humbi me shifrat 85:79 dhe 82:65. Përfaqësuesja e Kosovës ka nisur përgatitjet për fazën e tretë kualifikuese më 14 korrik.
Mullaomeroviq ka ftuar 16 lojtarë, por në fund të muajit do të reduktojë ekipin në 12. Prej lojtarëve të natyralizuar, këtë herë është ftuar plejmejkeri Divine Myles.
Përfaqësuesja e Kosovës në kuadër të fazës së tretë parakualifikuese bën pjesë në Grupin G së bashku me Luksemburgun dhe Britaninë e Madhe. Fituesi i grupit do të jetë pjesë e grupit kualifikues për “Eurobasket 2021”, të cilin e përbëjnë Gjermania, Franca dhe Mali i Zi.
Ndeshjen e parë në kuadër të parakualifikimeve, Kosova do ta luajë më 3 gusht në udhëtim kundër Luksemburgut, kurse katër ditë më vonë e pret në Mitrovicë Britaninë e Madhe. Dy ndeshjet e fundit të këtij grupi, Kosova do t'i luajë më 14 gusht në Mitrovicë ndaj Luksemburgut dhe më 17 gusht do t'i shkojë Britanisë së Madhe.