Sport

Programi “Brick”, të rinjtë e Kaçanikut dëshmuan talentin edhe në basketboll

Ekipi i vajzave me fanella të kuqe dhe ai i meshkujve me të zeza, janë shpallur fitues të turneut të klubit të basketbollit Kaçaniku.

Vajzat me të kuqe ishin bindshëm më të mira, duke i mposhtur ato me të zeza me rezultatin 35:18, derisa e kundërta ishte te meshkujt, duke triumfuar ata me fanella të zeza me rezultatin e ngushtë, 49:41

Për turneun që u mbajt në sallën e shkollës “Emin Duraku” në Dushkajë, në kuadër të programit ‘BRICK” i themeluar dhe implementuar nga CDF, të rinjtë e Kaçanikut kanë nisur të përgatiten kohë më parë.

Rezultati në parket ishte ne planin e dytë, pasi qëllimi i këtij projekti është edukimi i të rinjve dhe mësimi i hapave të parë në sport, e në këtë rast të basketbollit.

Menaxherja Fetahaj shpreson që edhe në të ardhmen të ketë projekte të tilla në Komunën e Kaçanikut.

Të parët që luajtën ishin vajzat e ndara me fanella të kuqe dhe të zeza. Luajtën sipas rregullave të përcaktuara në këtë sport. Loja zgjati 4 çerekë nga tetë minuta, raporton “Sporti në KTV”.

Edhe pse në një periudhë të shkurtër të stërvitjeve, vajzat zhvilluan një lojë goxha të mirë.

Pjesa e parë përfundoi 19:10 në të mirë të vajzave me fanella të kuqe, derisa në favor të tyre e mbyllën edhe takimin miqësor.

Por, medalje u ndanë edhe për ekipin me fanella të zeza, derisa vendit të parë i takoi edhe Kupa, të cilën e ngriti lart kapitenia, Dea Lipa.

Synimi i klubit të Kaçanikut është që në të ardhmen ta krijojë edhe ekipin e femrave.

Dukshëm më mirë se vajzat luanin ekipet e djemve po ashtu të ndarë me fanella të kuqe dhe të zeza.

Vetëm fillimi i ndeshjes i takoi djemve me fanella të zeza, kurse ata me të kuqe u rikthyen në çerekun e dytë për ta ngushtuar epërsinë e krijuar nga ekipi me të zeza në 20:19.

Gjatë çerekëve, dy tre dhe katër në luajtën edhe basketbollistët më të vegjël të klubit Kaçanikut, të cilët po ashtu vëreheshin se kishin njohuritë bazike të sportit të basketbollit.

Pjesa e parë e lojës së djemve përfundoi 22:27 në të mirë të atyre me fanella të zeza, kurse ndeshja përfundoi me rezultat të ngushtë 49:41.

Edhe për të dyja ekipet në fund kishte medalje, kurse Kupën e ngriti Artor Guri i ekipit me të zeza.

Se programi “BRICK” ia ka arritur qëllimit që ka pasur, e thotë edhe përgjegjësi i turneut dhe trajneri i klubit Kaçaniku, Bardhyl Mjaku.

Ai ka shtuar se në Kaçanik ka lojtarë cilësorë që në të ardhmen mund të bëjnë një karrierë të mirë.

Në kuadër të programit “BRICK” i themeluar dhe implementuar nga CDF, të rinjtë e Kaçanikut më herët kanë marrë pjesë edhe në turneun e futbollit, derisa do të ketë edhe aktivitete të tjera në të ardhmen.