Sport

Tenistët e nisin me humbje festivalin olimpik “Baku 2019”

Tre prej katër tenistëve që po përfaqësojnë Kosovën në festivalin olimpik evropian për të rinj “Baku 2019” janë eliminuar nga garat në konkurrencën individuale.

Pas eliminimit të Vesa Gjinajt të shtunën, të dielën të njëjtin fat e kanë pasur edhe Forta Morina e Fresk Sylhasi. Gjinaj u eliminua nga tenistja turke Melisa Senli me 2:0 në sete (6:1, 6:1), raporton “Koha Ditore”.

Edhe Morina pësoi njëjtë 2:0 në sete (6:0, 6:0) nga zvicerania Chelsea Fontenel. Gjinaj dhe Morina të hënën (sot) do të paraqitjen në garat e çifteve. Ndërkohë, te meshkujt, Sylhasi pësoi 2:0 në sete (6:1, 6:1) nga zvicerani Mrika Brunolds.

Sylhasi pas këtij eliminimi në konkurrencën individuale, do t'i vazhdojë garat në çifte së bashku me Melos Nallbanin. Ky i fundit të hënën (sot) do të përballet me tenistin nga Rumania, Alin Fatu.

Kosova po përfaqësohet me 18 sportistë në pesë sporte në këtë ngjarje. Sukseset priten nga xhudistët.