Sport

Marcelo zbulon detaje për raportin e tij ndaj Solarit

Marcelo ka zbuluar detaje nga raportet e tij me ish-trajnerin e Real Madridit në sezonin e shkuar Santiago Solari.

Ish-futbollisti që mori drejtimin e skuadrës, u shkarkua në mes të kampionatit pasi Reali po përballej me krizën e rezultateve dhe të lojës, derisa i kishte prishur marrëdhëniet edhe me një numër të madh të lojtarëve të ekipit të parë.

Një nga ta ishte edhe braziliani Marcelo, i cili ka kujtuar momentin e prishjes së raporteve me Solarin, transmeton “Sporti në KTV”.

Duke mos i përmendur emrin, por që e ka lënë të nënkuptohet që bëhet fjalë për Solarin, Marcelo ka bërë dallimin e tij me Zidanen.

“Zidane flet shumë me lojtarët, ta thotë në sy atë që e mendon. Unë isha në bankën rezervë për dy muaj pa shpjegim se përse, apo çfarë po ndodhte. Por, unë nuk bëj fjalë, punoja njëjtë dhe prisja rastin. Bashkëlojtarët më shikonin në stërvitje se si isha i qetë dhe nuk reagoja, pasi unë i tillë jam. Nuk kishte asnjë fjalë të vetme, edhe pse e doja një sqarim”, ka thënë Marcelo në një intervistë së fundit.