Kuka pa medalje në Budapest, Kosova e mbyll Grand Prixin me tri medalje

Kuka pa medalje në Budapest, Kosova e mbyll Grand Prixin me tri medalje

14 July 2019 18:49

Xhudistët elitarë nga Kosova, të udhëhequr nga trajneri Driton Kuka, kanë përfunduar garat në Grand-Prixin e Budapestit, me bilancin e një medaljeje të artë, dy të argjendta, një vend të pestë dhe një të shtatë.

E fundit që garoi ishte Loriana Kuka në kategorinë deri në 78 kg, por që nuk arriti medalje dhe e zuri vendin e shtatë.

Pavarësisht se e nisi mirë garën duke e mposhtur fillimisht xhudisten hungareze Fanni Toth me Ippon, Loriana humbi në dy ballafaqimet e radhës.

22-vjeçarja Kuka në luftën e dytë u mposht nga 31-vjeçarja nga Kuba, Kaliema Antomarchi, me Wazzari në vazhdime, apo në “Pikën e Artë”, transmeton Koha.net.

Xhudistja pejane e pati rastin që nëpërmjet Repechageit të hyjë në luftë për medalje të bronztë, megjithatë një gjë të tillë ia pamundësoi kundërshtarja e saj nga Portugalia, 20-vjeçarja Patricia Sampaio, e cila po ashtu fitoi falë një Wazzari.

Nga Çmimi i Madh i Budapestit, Kosova kthehet me tri medalje.

Të artën e fitoi Akil Gjakova në kategorinë deri në 73 kg, dhe dy të argjendta u fituan nga Nora Gjakova në kategorinë deri në 57 kg, dhe nga Distria Krasniqi në kategorinë deri në 48 kg.

Ndërkohë, kampionia e artë olimpike, Majlinda Kelmendi, u rendit në vendin e pestë në kategorinë deri në 52 kg.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme