Sport

Bottas e mposht Hamiltonin për “pole-position” në Britani

Foto: The Guardian

Valtteri Bottas e mposhti favoritin dhe liderin e Formula 1, Lewis Hamilton, dhe i mohoi vozitësit të ekipit të tij suksesin e pestë rresht, duke ia rrëmbyer nisjen nga vendi i parë në Grand-Prixin e Britanisë.

Finlandezi ishte për 6 të mijtat e sekondës më i shpejtë se pesë herë Kampioni i Botës, me dy “Shigjetat e Argjendta”, që shkëlqyen në pistën Silverstone.

I riu i Ferrarit, Charles Leclerc, do të jetë në rreshtin e dytë bashkë me Max Verstappen të RedBullit, i cili e fitoi garën në Austri, ku të dy 21-vjeçarët u përplasën duke luftuar për fitore në rrathët e fundit, transmeton “Sporti në KTV”.

Bottas është 31 pikë prapa Hamiltonit në luftën për titull dhe i duhet ta ngushtojë epërsinë, por që do të jetë shumë e vështirë.

Hamiltoni nga ana tjetër, është në pozitë të mirë për ta shënuar fitoren e gjashtë në shtëpi dhe të 80-n në karrierë.

Sebastian Vettel i Ferrarit, fitues i garës në vitin e kaluar, do të niset i gjashti, prapa vozitësit francez të RedBullit, Pierre Gasly, në rreshtin e tretë.

Australiani Daniel Ricciardo, do të jetë i shtati me Renaultin, përkrah Lando Norris të McLarenit, pas një tjetër paraqitjeje të mirë nga tinejxheri britanik.