Sport

Ramadani synon që Feronikelin ta kthejë në Prishtinë pa humbje nga TNS-ja

Foto: Koha

Zekirja Ramadani, trajneri Feronikelit, po sheh vullnet të jashtëzakonshëm te ekipi që drejton, një natë para ndeshjes së madhe që e luan në Wells, kundër TNS-së.

“Synojmë që të kthehemi në Prishtinë pa humbje. Shpresojmë që kjo të ndodhë që do të ishte rezultat i mirë. Në Prishtinë, me ndihmën e tifozëve që besoj se do ta mbushnin stadiumin do ta kishim më të lehtë fitoren”, ka thënë Ramadani.

Ai ka thënë se e njohin mirë ekipin kundërshtar, dhe se janë përgatitur mirë për këtë sfidë.

“Këtu nuk punojmë në aspektin taktik, sepse mund të monitorohemi. Kemi pasur kohë mjaftueshëm në Prishtinë që të përgatitemi taktikisht. Këtu kemi stërvitur vetëm në aspektin fizik, në ambientimin me fushën, me dimensionet e saj si dhe me topat, sepse për herë të parë luajmë me këtë lloj topi”, ka thënë Ramadani në Interaktiv të KTV-së.

Trajneri ka thënë se ekipi që drejton ka cilësi, por ka edhe konkurrencë dhe diciplinë.

“E dini që kemi mungesa, mungojnë Mendurim Hoti, Ylli Hoxha dhe Met Millaku. Nuk dua ta mohoj kontributin e askujt, por këtu jemi Feronikeli e jo individë. Jemi 24 futbollistë, të gjithë të gatshëm për të marrë përgjegjësi”, ka thënë ai.

Ramadani ka thënë se Feronikeli do të shkaktojë befasi, dhe do ta kalojë TNS-në.