Sport

Bartomeu: E di ku do të luajë De Ligti sezonin tjetër, jemi të interesuar për Neymarin

Foto: Reuters

Presidenti i Barcelonës, Josep Maria Bartomeu ka deklaruar se di se ku do të luajë mbrojtësi i Ajaxit, Matthijs de Ligt në sezonin tjetër, derisa ka pranuar se Barça ka shprehur interesim për rikthimin e Neymarit.

“Qe një kohë tashmë e kam thënë se e di se ku do të luajë De Ligti në sezonin tjetër. S’mund të them ndonjë gjë më tepër tani, pasi u përket palëve të interesuara që të konfirmojnë këtë”, është shprehur Bartomeu.

Barça është një nga klubet që kishte shprehur interesim për talentin holandez, derisa në garë për të raportohet se janë edhe Unitedi, PSG-ja, e Juventusi, me këtë të fundit që shihet si favorit për shërbimet e tij.

Kurse për Neymarin ka thënë se, “e dimë që lojtari e do largimin nga PSG-ja, por gjithashtu e dimë se PSG-ja s’e do largimin e tij, prandaj s’kemi për çka të flasim”, ka thënë Bartomeu, që ka konfirmuar se dje kanë mbajtur një takim me përfaqësuesit e Griezmannit.