Trajneri i Feronikelit, Zekirja Ramadani është ndarë shumë i kënaqur me fitoren historike ndaj Santa Colomas.
Feronikeli ka kaluar fazën parakualifikuese në Ligën e Kampionëve duke shënuar dy fitore radhazi, njërën prej tyre sonte ndaj klubit nga Andorra Santa Colomas, transmeton Koha.net.
E kampionit të Kosovës iu deshtë të përmbyste rezultatin edhe me një mungesë të një lojtari në fushë, kur Ylli Hoxha u ndëshkua me kartonin e kuq në fillim të pjesës së dytë.
“Si duket ai karton i kuq na zgjoi nga ajo anomali, dhe pas atij momenti lojtarët u transformuan. I uroj për lojën e mirë dhe mendoj se treguam kualitet dhe treguam se e duam klubin dhe jemi në gjendje të japim gjithçka. Uratat më të mëdha shkojnë për lojtarët”, tha Ramadani.
Ai tregoi se shpresat u rritën pas golit të barazimit që e shënoi Mevlan Zeka. Derisa golin e fitores e shënoi Kastriot Rexha.
“Kjo fitore na rritë vetëbesimin, përkundër që ishte një kundërshtar shumë i fortë. S’ka fjalë që mund të përshkruajë këtë fitore me përmbysje rezultati”, u shpreh Ramadani.
Derisa mesfushori Besmir Bojku deklaroi se është adaptuar shumë shpejtë me skuadrën e re, e theksoi se është i gatshëm të luajë në çdo pozitë që i kërkohet.
“Unë do të luaj në çdo pozicion që më jepet rasti dhe do të jap maksimumin. Sigurisht se këto janë dy ndeshjet e para, dhe ka vetëm dhjetë ditë që jam bashkuar me ekipin dhe jam adaptuar shumë shpejt me ekipin. Besoj se do të kemi edhe paraqitje të tjera të mira”, tha Bojku.