Skuadra e Prishtinës nuk ka arritur më shumë se një barazim ndaj skuadrës St Josephs, në ndeshjen e parë parakualifikuese në Ligën e Evropës.
Pas ndeshjes trajneri Mirel Josa u shpreh tejet i zhgënjyer me rezultatin përfundimtar të ndeshjes, por sipas tij Prishtina do të kualifikohet për raundin tjetër të këtyre kualifikimeve.
“Neve na mungoi në pjesën e dytë sidomos pika e referimit, Shillova që ne e kishim si pikë referimit në sulmin tonë, në mënyrë që të fusnim lojtarët tjerë nga mbrapa. Ndryshuam rreshtim sepse këto ishin mundësitë tona për sa i përket lojtarëve që kishim në dispozicion. Dolëm me një 4-3-3, Krasniqin e pozicionuam në krahë, qoftë djathtas qoftë majtas në dy pozicione. Megjithatë duhet të kishim qenë shumë më të qetë në momentet që ne dilnim nga krahët, qoftë për shërbimet, qoftë për konkludim. U detyruam që të luajmë me Mankendan në sulm në pjesën e dytë, gjë që për mua Mankenda është lojtar krahu por ishte lojtari më i mundshëm për të plotësuar pozicionin e Shillovës. Unë them që ishte një lojë e cila u fillua mirë nga ne”, tha Josa.
Ndërkaq lojtari i rikthyer nga lëndi tek kampi prishtinas, Meriton Korenica pas ndeshjes pohoi se Prishtina gjatë gjithë ndeshjes e kishte lojën në kontroll, por nuk arrinte dot të shënonte, sidomos në disa raste të mira që i kishte në pjesën e dytë, transmeton kp.
“Po u riktheva pas një lëndimi, diku afro 2 muaj. Jam shumë i kënaqur që u riktheva, por nuk jam i kënaqur me rezultatin sot, ku është dashur ta fitonim ndeshjen, por sot fati na ktheu shpinën pasi që rastet i patëm dhe nuk i shfrytëzuam në maksimum dhe shpresoj në lojën tjetër të vazhdojmë dhe të kualifikohemi”, tha Korenica.
Sulmuesi i posa ardhur tek Prishtina, nga Flamurtari, Alban Shillova i cili u lëndua në pjesën e parë dhe qysh në fillim të pjesës së dytë u detyrua ta lë fushën pas takimit pohoi se Prishtina tregoi lojë të mirë, por që fati nuk ishte me ta.
“Kisha disa raste tjera të cilat mendoj që mund të bëja më mirë, po ja që edhe lëndimi të cilin e pësova gjatë ndeshjes e bëri të veten. Por nuk mund të them asgjë, gjurin e kam lënduar, mendoj që e kam zgjatur ligamentin por nesër do t’i bëjmë disa teste mjekësore dhe ekzaminime të sakta dhe mund të kemi një mendim të saktë. Po besoj shumë se ndeshja atje do ta kualifikoj Prishtinën dhe pse të mos vazhdojmë tutje”, tha Shillova.
Kujtojmë që ndeshja e kthimit mes Prishtinës dhe St Joseph’s zhvillohet javën e ardhshme përkatësisht ditën e marte.