Sport

Bol Bol kërkon suksesin në NBA, sikurse i ati i ndjerë

Bol Bol, njëri prej 20 lojtarëve që ishin ftuar në draftin e NBA-së që u mbajt ditë më parë në New York, është i gatshëm ta dëshmojë veten. Bol Bol ishte ndër të parët që u paraqit në këtë ceremoni dhe priti shumë gjatë që të përzgjidhet. Analistët kishin parashikuar se Bol Bol do të jetë në mesin e dhjetë të parëve që do të draftohen nga skuadrat e NBA-së.

Mirëpo në vend të kësaj, 19-vjeçari me prejardhje nga Sudani përfundoi në raundin e dytë të draftit dhe doli si zgjedhja e 44-t. Bol Bol përfundoi te Denver Nuggets, ekip që beson në aftësitë e tij. Në të vërtetë Denveri i ofroi Miamit zgjedhjen e dytë në draftin e vitit të ardhshëm për Bol Bolin, duke bërë shkëmbim. Ai është i gjatë 218 centimetra dhe luan rolin e qendrës kurse te Denveri presin shumë prej tij, shkruan sot Koha Ditore.

Bol Bol është i gatshëm për ta dëshmuar veten dhe për t'iu treguar të gjithëve se nuk e ka merituar të përzgjidhet vetëm i 44-ti në draftin e këtij viti.

"Në edicionin e ri thjesht të gjithëve do t'u tregoj se gabuan rëndë në lidhje me mua. Nuk kam merituar të jem aq poshtë në renditje. Do të jem njëri prej lojtarëve më të mirë në edicionin e ri dhe këtë do ta shohin të gjithë", është shprehur Bol Bol.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)