Mos kalimi i Ligjit për Tatimin e të Ardhurave në Korporata në Kuvend, përkatësisht amendamenti, i cili do t’i jepte rrugë të menjëhershme Ligjit të Sponsorizimit në fushën e Sportit, Kulturës e Rinisë, ka befasuar gjithë komunitetin e sportit, të cilët kanë shprehur zhgënjimin e madh me hezitimin e disa deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Përmes një komunikate për media Komiteti Olimpik i Kosovës, si institucioni më i lartë sportiv në Kosovë, thotë se ka mbetur tejmase i habitur se si një amendament i cili e dërgon përpara zhvillimin e sportit në Kosovë, i cili do të krijonte qindra e mijëra vende të reja të punës, do ta ulte shkallën e informalitetit, e do e ndalte valën e largimit të rinisë nga Kosova, nuk gjeti përkrahjen edhe nga deputetët, të cilët jo rrallë herë dinë të krenohen me arritjet e sportistëve.
KOK-u iu bën thirrje të gjithë deputetëve hezitues që ta mbështesin këtë Ligj dhe këtë amendament, sepse me të do të mbështesin sportistët e Kosovës, do të mbështesin fëmijët e tyre duke i larguar ata nga rrugët devijante.
“Sportistët tanë janë ata që po na bëjnë të lumtur e krenarë me rezultatet kulminante, duke e promovuar e lartësuar flamurin dhe Shtetin e Kosovës në gjithë botën, madje edhe në vendet ku deputetëve të Kosovës dhe gjithë të tjerëve iu mohohet edhe hyrja. Duam të ju rikujtojmë se numri i klubeve në Kosovë, në vend se të vazhdon rritjen, nga dita në ditë po e vazhdon rënien, duke bërë që shumë klube, madje edhe ato më me nam të gjejnë shuarjen, në vend të gjetjes së përkrahjes nga sponsorët dhe nga institucionet e Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë, transmeton Koha.net.
KOK-u shton se ndërkombëtarizimi i sportit pas luftës ishte synimi më i madh i të gjitha sporteve, ndërsa shumë sosh, detyrohen sot 20 vite pas lufte që shkaku i mos përkrahjes së mjaftueshme financiare, të mos arrijnë të marrin pjesë në gara ndërkombëtare.
“Andaj, duke besuar se mos votimi i këtij ligji nga deputetët ishte jo i menduar mirë, ju bëjmë thirrje të gjithë deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, që këtë ligj ta votojnë në seancën e radhë dhe kështu me votën e tyre të bëhen pjesë e një zhvillimi të hovshëm të sportit të Kosovës”, thuhet në komunikatë.