Sport

Suarez: Doja të zhdukesha nga faqja e dheut pas humbjes nga Liverpooli

Descriptive Text

Sulmuesi i Barcelonës, Luis Suarez, ka thënë se humbja 4-0 ndaj Liverpoolit në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve ishte po aq e dhimbshme sa edhe momenti kur ishte kthyer në shtëpi nga Botërori i vitit 2014 kur e kishte kafshuar Giorgio Chiellinin e Italisë dhe i ishte ndaluar loja e futbollit për katër muaj.

Barça dukej e sigurt se do të arrinte finalen e top-garës evropiane për herë të parë nga viti 2015 pasi kishte fituar ndeshjen e parë me rezultat 3-0 por rezultati u rrënua në Anfield nga ish-skuadra e Suarezit, e cila edhe e fitoi garën me rezultatin 2-0 ndaj Tottenham Hotspur.

“Ditët vijuese, kur u ktheva në Barcelonë, ishin momentet më të këqija të jetës dhe karrierës sime bashkë me ngjarjen e Botërorit 2014; doja të zhdukesha nga faqja e dheut”, tha sulmuesi uruguaian Suarez n ënjë intervistë për “Fox Sports” para Copa Americas, transmeton Koha.net.

“Nuk doja t’i çoja fëmijët në shkollë, të gjithë mund të shihnin se nuk isha mirë. Kishte ditë që nuk doja të bëja asgjë, ishin momente shumë të vështira”.

Humbja me rezultat të përgjithshëm 4-3 ndaj Liverpoolit erdhi një vit pasi Barça po ashtu kishte lëshuar avantazhin prej 3 golash në ndeshjen çerekfinale të Ligës së Kampionëve duke humbur 3-0 ndaj AS Romës dhe u diskualifikua si pasojë e golave mysafire.

Por, Suarezi tha se nuk ka mundur ta marrë me mend se historia do të përsëritej kur skuadra e tij u paraqit në Anfield muajin e fundit duke e ditur se nëse do të shënonin një gol, Liverpoolit do t’i duheshin 5.

“Nuk e paramendova sepse ne jemi Barcelona dhe menduam se do të kishim 2-3 shanse për gol; e thamë këtë por u bëmë nervozë, bënim pasime të gabuara, nuk treguam sjelljen e duhur”, tha më tej Suarezi.

“Kur shënuan golin e parë, nuk ditëm si të reagonim, e ditëm se e bëmë punën bërllok. Pas ndeshjes, në zhveshtore askush nuk fliste; kishte mërzi, hidhërim e zhgënjim sepse e dinim se kemi prezantuar një pamje shumë të keqe”.

Pak ditë pas humbjes nga Liverpooli, Suarezi iu nënshtrua një intervenimi kirurgjik në gju për t’u bërë gati për Copa America, kupë e cila nis të premten ku organizatori Brazili përballet me Bolivinë.

Uruguay, që e ka fituar këtë garë 15 herë, që është edhe rekord, e luan ndeshjen e parë kundër Ekuadorit të dielën.