Sport

Këto janë disa prej yjeve që do të paraqiten në ndeshjen Xhaka vs Rashica

Disa prej sportistëve më të njohur shqiptarë e këngëtarë të famshëm të estradës shqiptare do të paraqiten në ndeshjen e yjeve “Granit Xhaka vs Milot Rashica”.

Të shtunën, më 15 qershor, me fillim prej orës 20:00 në “Fadil Vokrri” do të zbresin dy superyjet e futbollit, mesfushori i Arsenalit Granit Xhaka, dhe Milot Rashica i Werderit si dy yjet kryesore që do të kenë nga një ekip të tyrin për të zhvilluar një ndeshje miqësore.

KTV mëson se disa nga pjesëmarrësit në ndeshjen Xhaka vs Rashica do të jenë futbollistët e kombëtares shqiptare Mërgim Mavraj e Ermir Lenjani. Pjesëmarrës do të jetë edhe ish-sulmuesi Shefki Kuqi. Pos tyre në fushë do të paraqitet edhe boksieri Haxhi Krasniqi.

Krahas sportistëve, te ekipet e Xhakës e Rashicës do të jenë edhe dy reperët e famshëm MC Kresha e Ledri Vula.

Ndeshja organizohet nga Federata e Futbollit të Kosovës dhe Komuna e Prishtinës. FFK sot njoftoi se biletat për tribunat Jug dhe Veri janë falas, ndërsa ato në Lindje kushtojnë 2 euro e në Perëndim 3. Biletat mund të blihen në kioskun e qytetit të Prishtinës si dhe në Rave Travel.

Të gjitha të hyrat nga shitja e biletave do t’u ndahen 10 familjeve në nevojë, sipas njoftimit.