Sport

Porto, favorite për Buffonin

Foto: Reuters

Ish-portieri i Përfaqësueses së Italisë, Gianluigi Buffon, pritet që karrierën ta vazhdojë në Portugali, pasi është pranë marrëveshjes me Porton.

Mediumet italiane kanë njoftuar se Porto tashmë i ka bërë ofertë Buffonit, të cilit i ka ofruar kontratë njëvjeçare me mundësi vazhdimi edhe për një vit tjetër, transmeton Koha Ditore.

Buffon te Porto shihet zëvendësim adekuat për Iker Casillasin, i cili pas sulmit në zemër pritet të mos kthehet në fushë më si lojtar.

Buffon aktualisht është i lirë, pasi nuk ka rinovuar kontratën me PSG-në, që i skadoi në fund të edicionit të shkuar.

Buffon 41-vjeçar, krahas titullit në Francë, ka fituar tituj edhe në Itali me skuadrën e Juventusit. Ai karrierën e ka nisur te Parma, kurse ka edhe 176 paraqitje me Italinë dhe një titull bote të fituar.