Mbrojtësi i krahut të majtë, Ryan Sessegnon pritet që në fillim të muajit të ardhshëm të zyrtarizohet te skuadra e Tottenhamit.
"The Times" ka njoftuar të enjten se Tottenhami tashmë ka arritur marrëveshje me Sessegnonin dhe po negocionin me Fulhamin për lirimin e tij. Sessegnon 19-vjeçar, me Tottenhamin do të firmos kontratë pesëvjeçare kurse Fulhami për lirimin e tij po kërkon të paktën 50 milionë euro dëmshpërblim, transmeton Koha Ditore.
Sessegnon prej vitit 2016 është pjesë e ekipit të parë të Fulhamit kurse edicionin e fundit ka shënuar dy gola dhe ka asistuar gjashtë herë në 35 ndeshje në Premier League. Ai ka kontratë me Fulhamin deri në vitin 2020, me mundësi vazhdimi edhe për dy vite tjera.